Site icon Telegrafi

Gjenden rrënojat e aeroplanit të zhdukur në Alaskë – asnjë i mbijetuar, dhjetë të vdekur

Roja Bregdetare Amerikane në Alaskë gjeti mbrëmë rrënojat e një aeroplani të vogël mbi akullin e ngrirë të detit, pasi mjeti ajror humbi papritur lartësinë të enjten. Në këtë aksident humbën jetën të dhjetë personat që ndodheshin në bord, thanë zyrtarët. Duhen disa ditë për të nxjerrë të gjitha trupat.

Dy shpëtimtarë të rojës bregdetare amerikane, të cilët arritën te rrënojat, panë tre trupa brenda, ndërsa mendohet se shtatë të tjerët ndodhen ende aty, tha zëdhënësi i rojës bregdetare, Mike Salerno, në një konferencë për shtyp, “për fat të keq, duket se nuk ka pasur të mbijetuar në këtë aksident”.

Clint Johnson, shefi i zyrës së Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit në Alaskë, konfirmoi gjithashtu se të gjithë dhjetë personat në bord humbën jetën.

“Meqë rrënojat u gjetën dhe konfirmuam 10 viktima, tani është koha të fillojmë punën”, tha ai.

Kushtet e ashpra të motit dimëror e vështirësuan kërkimin dhe mund të duhen orë apo ditë për të nxjerrë trupat nga zona e largët ku ndodhet avioni, sipas zyrtarëve.

Rrënojat u zbuluan 55 kilometra në juglindje të Nome, njoftoi roja bregdetare, duke publikuar edhe një foto të rrënojave të mbuluara nga dëbora, ku shfaqeshin dy anëtarë të ekipit të shpëtimit.

Aeroplani Cessna 208B Grand Caravan, me një pilot dhe nëntë pasagjerë të rritur, u zhduk gjatë një fluturimi nga Unalakleet të enjten, sipas Departamentit të Policisë Shtetërore të Alaskës në Nome, një qytet mbi 805 kilometra në veriperëndim të Anchorage.

Aeroplani u zhduk rreth 19 kilometra larg bregut, mbi ujërat e akullta të Norton Sound, që është pjesë e Detit Bering, sipas rojës bregdetare. /Telegrafi/

Exit mobile version