Telegrafi

Gjenden pa shenja jete dy persona në Prishtinë dhe një në Komoran

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar për tri raste të vdekjes së dyshimtë.

Në rrugën “Xhavit Ahmeti” në Prishtinë policia ka njoftuar se në banesën e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante dhe trupin e pajetë e ka tërhequr njësia e mjekësisë ligjore.

Po ashtu në Prishtinë në rrugën “Skender Matallari”, është raportuar se në rrugë është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Rasti i tretë i që është cilësuar si vdekje e dyshimtë ka ndodhur në fshatin Komoran.

Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar.

Në objektin përcjellës të shtëpisë së viktimës, janë gjetur dhe janë konfiskuar armë zjarri AK-47, katër karikatorë me nga 30 fishekë, tre detonatorë elektrikë, shtatë granata dore, si dhe një sasi e municionit të ndryshëm.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. /Telegrafi/