Site icon Telegrafi

Gjenden mbetje mortore në Prizren

Janë gjetur mbetje mortore që dyshohet të jenë së paku të një personi, në varrezat e qytetit në Prizren.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka treguar për KosovaPress, që në lokacionin në të cilin ekspertët e gërmimit kanë gjetur sot mbetjet, ka qenë në kuadër të planifikimeve për këtë javë, dhe pasi është siguruar urdhëresa me kohë, kanë realizuar gërmimet të cilat kanë rezultuar me gjetje të mbetjeve.

Ai ka bërë të ditur që janë zhvarrosur ato mbetje mortore dhe pritet të vazhdohet me procedurat për të ditur se kujt i takojnë ato.

“Lokacioni ka qenë në kuadër të planifikimeve për këtë javë, është lokacion në kuadër të hapësirës së varrezave të qytetit të Prizrenit. Është punuar që disa muaj në të, është siguruar urdhëresa me kohë, dhe ekspertët kanë gjetur mbetje që dyshohet të jenë të paktë të një personi. Pra, vendi ka qenë i dyshuar”, tha Gara.

Ai bëri të ditur që nesër vazhdohet me gërmime në Mitrovicë, të varrezat myslimane, lokacion i cili është shënjuar dhe për të cilin është caktuar urdhëresa që të vazhdohet me gërmime.

Sipas Garës, janë mbi 20 lokacione që janë proceduar gjatë këtij viti brenda territorit të Kosovës.

Ai gjithashtu tha se në Zhabar të Mitrovicës ka pasur gjetje të rastësishme, policia është njoftuar dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërkohë pritet të caktohet urdhëresa për të vazhduar me gërmime.

Exit mobile version