Telegrafi

Gjenden eshtrat e një personi të vrarë në luftën e fundit, dyshohet edhe për një tjetër

Në afërsi të varrezave myslimane në Mitrovicë janë gjetur eshtrat e një personi që dyshohet se është vrarë ne luftën e fundit ndërsa kërkimet po vazhdojnë edhe për eshtrat e një personi tjetër.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur ka thënë se kërkimet për mbetje mortore do të vazhdojnë edhe në disa lokacione në Serbi.

“Sot jemi rikthyer për të kërkuar së paku dy viktima të luftës nga një fshat në afërsi të Mitrovicës ta vrarë apo ekzekutuar nga forcat serbe gjatë luftës e që janë varrosur nga forcat serbe në përfundim të luftës. Deri më tani janë zhvarrosur mbetjet mortore të një personi dhe tash do të vazhdojmë me gërmimin e mbetjeve mortore të personit të dytë”, tha për RTV Dukagjinin, Kushtrim Gara.

Gara thotë se pos Kosovës edhe në Serbi do të ketë kërkime për persona të zhdukur pas luftës.

“Në Kosovë, prioritet mbeten varrezat e besimtarëve myslimanë në Mitrovicë të veriut. Pastaj do të gërmojmë edhe në një lokacion në Rahovec, dhe një tjetër në Skenderaj. Në Serbi mbetet të kërkojmë në rajonin e Rashkës dhe Novi Pazarit”, tha Gara, përcjell Telegrafi.

Dy dekada pas luftës, në Kosovë mbeten të zhdukur edhe rreth 1640 persona, derisa kjo çështje pritet të ngritët./RTV Dukagjini/Telegrafi/