Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar të mërkurën se gjatë gërmimeve në Bishtazhin të Gjakovës, ka hasur në disa eshtra të njeriut.
Sipas njoftimit, potencialisht ato i përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë.
“Në vazhdën e aktiviteteve gërmuese, gjatë këtyre dy javëve ekipet tona të KQPZH, IML dhe Policia e Kosovës, me mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, Eulexit dhe KNKK, janë duke kryer gërmime në lokacion Bishtazhin, Komuna e Gjakovës”.
“Sot gjatë gërmimeve, ekipet kanë hasur në eshtra njerëzore të cilat sipas antropologut dr. Valon Hyseni, i angazhuar sot në lokacion, janë me interes forenzik dhe potencialisht i përkasin viktimave të luftës së Kosovës”, thuhet në komunikatën për media.
Komisioni tutje ka thënë se pas analizave të ADN-së do të dalin me njoftim për rezultatet e eshtrave të gjetura. /Telegrafi/