Telegrafi

Gjendja e sigurisë në Kosovë është stabile, Serbia po tenton ta destabilizojë atë

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë sot ka raportuar drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë Shpend Maxhuni.

Raportimi i kreut të AKI-së ka qenë pa praninë e mediave.

Pas raportimit të tij, kryetari i Komisionit, Faton Topalli, tha se në takimin e sotshëm është biseduar kryesisht për sigurinë në Kosovë.

Ai theksoi se siguria në Kosovë është stabile, por që ka tendenca për destabilizim.

Drejtori i AKI-së, Shpend Maxhuni, gjatë raportimit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë

“Sipas raporteve të drejtorit gjendja e sigurisë në Kosovë është bukur stabile, ka tendenca të stabilizimit të gjendjes, por AKI sa i takon si agjenci ka informuar presidentin, kryeministrin dhe është në bashkëpunim me strukturat tjera të shtetit që merret me çështjen e sigurisë”,  tha Topalli.

Sipas tij, tendencat për destabilizim vijnë nga Serbia.

“Informacionet për përpjekjet e destabilizimit të gjendjes në Kosovë janë publike, veprimet e shtetit të Serbisë janë për të destabilizuar gjendjen në Kosovë. AKI-ja ka detyrë të raportoj tek kryeministri dhe kryetari i vendit po ashtu edhe komisionit, tendencat e tilla të Serbisë janë të dukshme edhe për publikun dhe vendin”, u shpreh Topalli. /Telegrafi/