Tri partitë kryesore shqiptare në Mal të Zi do të garojnë me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të 16 tetorit, me qëllim, siç është thënë, unifikimin e shqiptarëve në këtë shtet.
Nik Gjeloshaj, deputet i Alternativës shqiptare në përbërjen e deritanishme të Parlamentit, thotë se koalicioni shqiptar do të bashkëpunojë me cilëndo shumicë që do t’i respektojë kërkesat e tij.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Gjeloshaj thotë se nuk beson se opozita pro-ruse malazeze ka shanse të fitojë pushtetin, ndërsa flet edhe për çështjen e demarkacionit të kufirit Mali i Zi – Kosovë.
“Këtu në Mal të Zi nuk ka pasur shumë polemika për këtë çështje. Më shumë është diskutuar për atë se a do ta pranojë ose jo Kosova marrëveshjen. Unë mendoj se dy shtetet fqinje, Kosova dhe Mali i Zi, duhet ta zgjidhin çështjen me gjyq ndërkombëtar, i cili do ta definonte saktë dhe nuk do të linte dilema”, tha Gjeloshaj.