Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Evropa, në formatin “online”, ka thënë se shqiptarët në Tuz, kanë rikthyer vetëbesimin dhe shpresën për të ardhmen në trojet e veta dhe, njëkohësisht, kanë fituar mbështetjen e opinionit më të gjerë mbarëshqiptar për ruajtjen e vlerave të shenjta kombëtare.
“Ne, u angazhuam me përkushtim që pasi fituam komunën e plotë, të administrojmë vetë me të mirat që disponojmë dhe bashkërisht me qytetarët e Tuzit dhe të Malësisë, të ndërtojmë një të ardhme më të mirë dhe më premtuese, sidomos për brezat e rinj. Të gjendur përball kësaj sfide, vepruam në drejtim të unifikimit të spektrit politik shqiptar në këto hapësira. Iniciuam bisedimet dhe ia arritëm që të bashkojmë forcat të bindur se kjo është rrugëtimi më i sigurt drejtë fitores së shumëpritur”, ka thënë Gjeloshaj.
I pari i Komunës së Tuzit ka folur edhe për sfidat që e presin në të ardhmen.
“Vullneti i dëshmuar në zgjedhjet lokale, dëshira për të instaluar një pushtet shqiptar në krye të komunës të bindur se kjo duhet të jetë e ardhmja jonë, janë sfidat që duhet përballur por, edhe për të realizuar pikësynimet tona programore. Aq më parë pasi përgjegjësia bie mbi ne, sepse ne ishim ata që iu qasëm punës me përkushtimin më të madh në sensibilizimin e opinionit shqiptar, jo vetëm në trevën e Tuzit dhe të Malësisë”, ka thënë Gjeloshaj.
Gjeloshaj ka premtuar se nuk do të kursehet dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve , në krijimin e vlerave të reja dhe në ruajtjen dhe afirmimin e vlerave të trashëguara që “ishin udhërrëfyesi kryesor për të dalë faqebardhë nga zgjedhjet e 3 marsit”.
Për fitoren e 3 marsit, ai ka falënderuar diasporën shqiptare dhe spektrin mbarëshqiptar.