Në kuadër të dëgjimeve publike dhe debateve me qytetarë, për hartimin e buxhetit komunal 2017-2019, Komuna e Malishevës, mbrëmë ka mbajtur një takim me banorët e Astrazupit, me qëllim të njoftimit për hartimin e buxhetit, marrjes së kërkesave të qytetarëve. Kjo (dëgjimet publike) bëhet me qëllim të identifikimit të nevojave dhe rritjes së transparencës në procesin e hartimit të buxhetit komunal.
Kryetari Begaj, në fillim të takimit, tha se “qëllim i yni është marrja e opinioneve dhe kërkesave të juaja, për hartimin e prioriteteve komunale, për investimet që planifikojmë ti bëjmë në vitin 2017 dhe vitet në vijim”.
Ndërsa drejtori i buxhetit, Vesel Krasniqi, tha se “kjo është mënyra më transparente për hartimin e buxhetit, ku ju qytetar njoftoheni për formën e hartimit të buxhetit dhe në të njëjtën kohë, përmes kërkesave të juaja, ne i nxjerrim e prioritetet e komunës për investimet kapitale”.
Gjatë diskutimit, banorët e fshatit Astrazup, i paraqitën disa kërkesa, ku kërkesë e parë ishte rregullimi i hapësirave të gjelbëruara brenda fshatit, pastaj ndriçimi i hapësirave dhe rrugëve, një sallë e sportit, rregullimi i shtratit të rrjedhës së ujit në fshat, si dhe rregullimi i disa rrugicave, siç është “Rruga e Mësuesit”, pastaj rregullimi i kyçjes së një rruge në magjistralen që kalon në mes të fshatit, rruga afër xhamisë dhe përkujdesje ndaj një rasti social.
Por banorët e fshatit, shfaqën edhe problemin e tyre kryesorë, e që nuk ka të bëjë me buxhetin komunal, ishte problemi me gurëthyesit afër fshatit, ku sipas banorëve, nga detonimet që bëhen, në disa lagje kanë problem me qarjet e mureve të shtëpive, si dhe problem është bërë edhe ndotja e ambientit nga ana e gurëthyesve, pasi pluhuri ju bie në tërë fshatin dhe në tërë malin e fushën përreth Astrazupit. /Telegrafi/