Telegrafi

Gjatë vitit 2017 u vranë në detyrë 81 gazetarë

Organizata më e madhe e gazetarëve në botë tha se të paktën 81 gazetarë u vranë në detyrë këtë vit dhe se dhuna dhe kërcënimet kundër mediave janë rritur shumë.

Në raportin vjetor “Kill Report”, sipas Associated Press, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) tha se gazetarët humbën jetën për shkak të vrasjeve të qëllimshme, sulmeve me bombë dhe incidenteve me shkëmbim zjarri në mbarë botën.

Numri i vdekjeve të gazetarëve për vitin 2017, i raportuar më 29 dhjetor, ishte më i ulëti në një dekadë; në vitin 2016 u vranë 93 gazetarë.

Shumica e gazetarëve u vranë gjatë 2017-ës në Meksikë, por shumë të tjerë edhe në zona konflikti në Afganistan, Irak dhe Siri.

Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, Philippe Leruth, tha se pavarësisht se pakësimi i numrit të vdekjeve “paraqet një tendencë rënieje, nivelet e dhunës ndaj gazetarëve mbeten të larta dhe të papranueshme”. /VOA/