Agjencia Evropiane për Mbështetjen e Azilit (EASO) ka publikuar të dhënat sa i përket kërkesave për azil gjatë muajit qershor.
Sipas analizave të publikuara nga EASO, ka një rënie të kërkesave për azil në qershor të 2018 krahasuar me muajin paraprak.
Afërsisht 51 300 kërkesa janë paraqitur në qershor, rreth 1,600 më pak se në muajin maj.
Rënie të kërkesave për azil në vendet e BE dhe Norvegji, Zvicër, Islandë, Lihtenshtajn ka edhe krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Në gjysmën e parë të vitit 2018, në këto vende u paraqiten 301, 390 aplikime, me një rënie prej 15% krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2017.
Vendet kryesore të origjinës së aplikantëve për azil në qershor ishin Siria, Afganistani, Iraku, Pakistani dhe Nigeria, përcjell Telegrafi.
Nga ky raport bie në sy një rritje e dukshme e kërkesave për azil nga shtetasit turq me 2,157 kërkesa të paraqitura (+ 32% në krahasim me muajin maj), niveli më i lartë që nga krijimi i sistemit për shkëmbimin e të dhënave.
Kosova vazhdon të mbetet një vend që qytetarët e saj aplikojnë për azil edhe pse në shumicën e vendeve të BE-së është shpallur vend i sigurtë i origjinës.
Në qershor 404 kosovarë kërkuan azil në këto vende të Evropës Perëndimore.
Prej tyre 290 e bënin këtë kërkesë për herë të parë, ndërsa 114 kanë përsëritur aplikimin.
Nga kërkesat e shqyrtuara në qershor, raportohet se 389 kërkesa prej azilkërkuesve nga Kosova janë refuzuar, 27 persona nga Kosova kanë fituar statusin e azilantit, ndërsa 18 të tjerë kanë përfituar mbrojtje shtesë./Telegrafi/