Që nga kohët e lashta, një eklips diellor është perceptuar si një mister i madh, ku shumë mite dhe legjenda lidhen me të.
Për shembull, në Kinën e lashtë, besohej se gjatë një eklipsi, një dragua qiellor sulmon dhe gllabëron Diellin. Miti hindu tregon për kokën e demonit Rahu që gëlltit shkurtimisht yllin tonë.
Edhe sot, kur është mjaft e qartë se çfarë po ndodh, pra që Hëna futet midis Diellit dhe Tokës dhe errëson pjesërisht ose plotësisht Diellin, mbeten disa fenomene të pazakonta që e shoqërojnë këtë fenomen.
Një prej tyre është zhdukja e reve. Domethënë, sapo fillon eklipsi, retë fillojnë të shpërndahen dhe shumë shpejt.
Shtrohet pyetja pse, pra, si mund të ndikojë pozicioni i Hënës në raport me Diellin në formimin e reve?
Sigurisht që nuk bëhet fjalë për zhdukjen e lloj-lloj reve, përndryshe nuk do të dëgjonim ankesa se shikimi i eklipsit u prish nga moti i keq.
Fizikani atmosferik, Victor Trees nga Instituti Meteorologjik Mbretëror i Holandës dhe kolegët e tij zbuluan se retë e cekëta ‘kumulus’ mbi tokë shpërndahen veçanërisht shpejt gjatë “errësimit”.
“Ky zbulim ka implikime për përpjekjet e ardhshme në inxhinierinë klimatike. Domethënë, nëse përpiqemi të bllokojmë Diellin me zgjidhje teknologjike, ai mund të ndikojë te retë”, shpjegon Tree, shkruan sciencealert.
“Një sasi më e vogël e reve mund të ketë efektin e kundërt të asaj që ne donim të arrijmë me inxhinierinë klimatike, sepse retë reflektojnë dritën e diellit dhe kështu ndihmojnë në ftohjen e Tokës”, shtoi ai.
Shkencëtarët gjurmuan lëvizjen e reve gjatë tre eklipseve diellore mbi kontinentin afrikan, midis viteve 2005 dhe 2016. Për habinë e tyre, ata zbuluan se retë kumulus fillojnë të shpërndahen gjerësisht kur Hëna mbulon 15 për qind të Diellit dhe zhduken deri në fund të eklipsit .
Ata nuk e kuptuan pse po ndodhte kjo, kështu që krijuan simulime duke përdorur softuerin e modelimit të reve “dales”. Simulimet kanë treguar se bllokimi i dritës së diellit ftoh sipërfaqen, gjë që redukton rrjedhën e ajrit të ngrohtë.
Rrjedhat e ngrohta janë çelësi për formimin e reve kumulus sepse ato bartin avujt e ujit që kondensohen në pika dhe formojnë re. Kur toka ftohet, rrjedhjet lart ndalojnë dhe retë kumulus “shpërndahen”. Ata formohen përsëri vetëm kur Dielli shfaqet përsëri në tërësinë e tij dhe fillon të ngroh përsëri tokën. Ky fenomen ndodh vetëm në tokë, sepse oqeani nuk ftohet aq shpejt sa toka.
Retë kumulus nuk janë re shiu, por ato mund të shndërrohen në to. Këto gjetje sugjerojnë se gjeoinxhinieria e klimës për të bllokuar rrezet e diellit mund të ketë një efekt mjaft të dëmshëm në modelet e motit. /Telegrafi/