Telegrafi

Gjatë muajit të Ramazanit premtohet më shumë rrymë, por jo edhe ujë të pijshëm

Me fillimin e muajit të ramazanit për ata që agjërojnë ndryshon edhe agjenda e aktiviteteve ditore si dhe e ushqimit. Para iftarit e syfyrit, kur përgatiten ushqimet, shpenzimet e energjisë elektrike, por edhe të ujit kryesisht janë më të mëdha.

Edhe pse me probleme në këtë fillim të ramazanit, zyrtarët e KEK-ut shprehen optimist se furnizimi me rrymë do të stabilizohet shumë shpejt. Zëdhënësi Viktor Buzhala thotë se B1-shi do të hyjë në prodhim në orët e mbrëmjes, por brenda disa ditëve edhe B2-shi do të kthehet nga remonti.

“Sa i përket muajit të Ramazanit KEK-u do të ketë në dispozicion dy blloqe t e Kosovës B të cilat krijojnë një furnizim mjaft stabil duke e ditur kapacitetin e tyre që shkon deri në 500 megavatorë”, thotë Buzhala

Deri në hyrjen në prodhim të njësisë B1 kategoria A furnizohet me orarin 5-1 në favor të rrymës, B-ja 4-2 si dhe C-ja 3-3.

Nga ana tjetër, furnizimi me ujë dallon varësisht nga kompanitë rajonale. Në rajonin e Prishtinës, si qendër me probleme të furnizimit, nuk mund të pritet më shumë, pasi kapacitetet prodhuese nuk lejojnë. Drejtori i KUR Prishtina Skënder Bublaku thotë se vet qytetarët mund të ndihmojnë në këtë drejtim duke kursyer ujin.

Bublaku tha se do të tentojnë maksimumin në këtë drejtim, megjithëse potencoi se në disa rajone të Prishtinës, teknikisht nuk është e mundur të bëhet më shumë. /rtk/