Telegrafi

Gjatë muajit prill 27 shtetas të Turqisë kanë kërkuar azil në Kosovë

Gjatë muajit prill Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka pranuar 27 kërkesa për azil politik nga shtetas të Turqisë.

Numri i përgjithshëm i aplikacioneve për azil gjatë muajit të kaluar ka qenë 31.

Përderisa, shtetasit turq e përbëjnë shumicën e këtyre aplikacioneve, janë edhe tri aplikacione nga qytetarët e Afganistanit dhe një tjetër nga Siria.

Po ashtu, dy aplikues janë në pritje të vendimit për dhënie apo refuzim të statusit të azilit dhe 29 të tjerë janë në fazë të aplikimit, raporton Kallxo.com.

Ndërkaq, numrin më të madh të kërkesave për leje qëndrimi në Kosovë gjatë prillit e kanë bërë shtetasit e Shqipërisë (159), ata të Turqisë (142) dhe të Serbisë (62).

Veç tjerash, më së shumti leje qëndrimi në këtë periudhë kanë fituar shtetasit shqiptarë (52), serbë (30) dhe turq (28).

Më 29 mars, 6 shtetas të Turqisë, të cilët ishin mësimdhënës dhe pjesëtarë të lëvizjes së Fetullah Gylenit, u larguan nga Kosova pa paralajmërim.

Institucionet qeveritare dhe Policia e kanë quajtur këtë largim si deportim, ndërsa Avokati i Popullit ka thënë në emisionin “Drejtësia në Kosovë” se shtetasit turq janë ekstraduar.

Qeveria turke e ka akuzuar Fetullah Gylenin për tentativën për puç ushtarak të 15 korrikut 2016 dhe e ka kërkuar ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara.