Site icon Telegrafi

Gjatë javës së fundit të dhjetorit, Kosovës i rikthehet terri

Sipas disa burimeve që ka arritur të sigurojë Telegrafi, duke filluar nga java e fundit e dhjetorit do të fillojnë reduktime të mëdha të energjisë elektrike në mbarë vendin.

Tash e një kohë është duke u diskutuar në opinion që për shkak të mungesës së thëngjillit, KEK po prodhon me kapacitete të kufizuara. Vendi ka importuar me një kosto të lartë për ta mbuluar këtë mungesë të prodhimit.

Lexo po ashtu Rreziku për krizë energjetike nuk ka kaluar, Gjukaj: Gjashtë muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë (Video)

Siç ishte bërë e ditur më parë, kostoja e importit gjatë muajve nëntor dhe dhjetor ka qenë nga 60-100 euro Megavati, ndërkohë që kosto e rrymës së prodhuar nga KEK është rreth 28 Eeuro për Megavat.

Para disa ditësh, ministri I Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, kishte deklaruar se për shkak të këtij çmimi të lartë të importit, do të duhej rishikuar tarifat, gjë që nxiti protesta të shoqërisë civile.

Akterët energjetikë të Kosovës, KOSTT, KEK, KEDS dhe KESCO, po ballafaqohen me sfida – nga mungesa e prodhimit vendor dhe çmimit të lartë të importit – ndaj nuk po mund t’i bëjnë ballë kësaj situate. Si rezultat, priten shkurtime të mëdha të energjisë duke filluar nga java e ardhshme.

Lexo po ashtu Haradinaj: I kam kërkuar KEK-ut të kemi kujdestari, ta shpallin gjendje emergjente

Duke pasur parasysh që një numër I madh I familjeve kosovare e përdorin energjinë elektrike për ngrohje, shkurtimet e energjisë elektrike e bëjnë situatën edhe më të vështirë.

Telegrafi gjithashtu ka mësuar se para disa ditësh ka pasur një takim të komitetit teknik emergjent I cili ka përgatitur një raport për alternativat për dalje nga kriza, dhe ky raport është prezantuar në qeveri por nuk ka ende ndonjë vendimmarrje. /Telegrafi/

Exit mobile version