Telegrafi

Gjatë gushtit nisin punimet për zgjerimin e rrugës Kijevë-Zahaq, Durmishi flet për projektet në rajonin e Dukagjinit

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi thotë se me anulimin e projektit për autostradën e Dukagjinit, ia kanë shpëtuar 150 milionë euro buxhetit të shtetit, teksa njoftoi se gjatë muajit gusht pritet të nisin punimet për zgjerimin e rrugës Kijevë-Zahaq.

Durmishi gjatë intervistës në emisionin “Përballje”, foli për shkeljet që kishin gjetur në projektet për autostradën e Dukagjinit.

“Ju e dini që ne e kemi anuluar projektin e autostradës të tipit të mbyllur Kijevë- Zahaq, sapo ne kemi ardhur në pushtet. Pas një auditimi që i është bërë vendimit të shpronësimit, nga 8 milionë euro që ka qenë vlera për shpronësime ka arritur në 22 milionë”, tha ai.

Durmishi sqaroi se anulimi i autostradës është bërë për shkak se kanë gjetur një projekt për zgjerimin e rrugës ekzistuese.

“Ministria e Financave e ka anuluar, ne kemi anuluar autostradën, sepse e kemi gjetur një projekt që zgjerimi i rrugës ekzistuese kushton maksimumi 90 milionë, euro, ndërsa aty kemi pasur 200 milionë kredi, 40 milionë shpronësime, si rrjedhojë 150 milionë euro shpëtojmë. Do të bëhet zgjerimi i rrugës, kemi kryer të gjitha procedurat, nga fundi muajit fillojnë punimet. Fillimisht deri në Dollc, pastaj vitin tjetër vazhdojnë punimet” tha mes tjerash ai.

Durmishi theksoi se e kanë shumë të rëndësishme të përfundojnë zgjerimin e rrugës deri në Dollc, ndërsa njoftoi se janë duke punuar edhe në rrugën për Gjakovë.

Duke folur për autostradën për Gjakovë, Durmishi tha se ministria e kaluar e udhëhequr nga Pal Lekaj i kishte nisur punimet pa projekt.

“Ka probleme, sepse nuk kemi mundur t’i zgjidhnim të gjitha problemet. Kijevë-Gjakova ka filluar rruga pa projekt. Nuk i plotëson kriteret për tu bërë rrugë me katër korsi, projekt politik, elektoral”, pohoi ai.

Në intervistën e dhënë për emisionin “Përballje”, Durmishi foli edhe për projekte tjera infrastrukturore me rëndësi. /Telegrafi/