Telegrafi

Gjatë bastisjes për substanca të ndaluara, u gjet një bredh shumë i dyshimtë (Foto)

Në Gloucestershire të Anglisë, Policia i ka arrestuar dy persona, pasi në pronën e tyre është gjetur një pemë e madhe kanabisi, e dekoruar sikur të ishte bredh.

Bashkëshortët që po e kultivonin bimën e ndaluar, e kanë mbështjellë me shirita dekorues, drita dhe stoli, ndërsa sipër i kanë vënë figurën e engjëllit, transmeton Telegrafi.

Mirëpo, hetuesit e kanë vërejtur menjëherë se për çfarë bëhet fjalë dhe e kanë konfiskuar, së bashku me disa pajisje që shërbejnë për kultivim.

“Nuk është bredhi i zakonshëm i festave të fundvitit. Arrestohen dy persona, të dyshuar për kultivimin e kanabisit”, shkruan shkurt në komunikatën e policisë.

Në anën tjetër, të ndaluarit do të qëndrojnë prapa grilave deri në muajin shkurt, pa të drejtë lirimi me kusht, derisa të dalin para drejtësisë. /Telegrafi/