Prokurori i Shtetit në një njoftim për media tregon se gjatë 24 orëve të fundit nga Prokuroritë Themelore janë ngritur gjashtëdhjetë e tri (63) aktakuza kundër shtatëdhjetë e nëntë (79) personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar tetë (8) persona për vepra të ndryshme penale.
Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit prokurori i shtetit, ka bërë katër (4) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit për pesë (5) persona për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer vepra të ndryshme penale. Po ashtu, është bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për një (1) person.
Ndërsa, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit ka bërë një (1) kërkesë për ngrirje të përkohshme të aseteve të paluajtshme, si dhe, dy (2) kërkesa për ngrirje dhe sekuestrim të përkohshëm të aseteve të pasurisë së luajtshme.
Siç thuhet në njoftim, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për personin me inicialet M.H., pasi që dyshohet se ka kryer veprën penale “Sulmi”.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur trembëdhjetë (13) aktakuza kundër pesëmbëdhjete (15) personave për vepra të ndryshme penale”, thuhet në njoftim.
E, Prokuroria Themelore në Prizren, bazuar në njoftim gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm, ka ndaluar për 48 orë dy (2) persona për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje” sipas KPRK-së.
“Departamenti i Krimeve të Rënda, ka paraqitur një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për një (1) të pandehur. Gjatë 24 orëve të fundit në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur gjashtë (6) aktakuza kundër gjashtë (6) personave për vepra të ndryshme penale”.
Tutje në njoftim theksohet se Prokuroria Themelore në Pejë, gjatë 24 orëve të fundit me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë një person nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” sipas KPRK-së.
Ndërsa, gjatë 24 –orëve të fundit janë ngritur pesëmbëdhjetë (15) aktakuza kundër njëzet e katër (24) personave për vepra të ndryshme penale.
Ndërkaq, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, – Departamenti Përgjithshëm, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprat penale ‘’Vjedhje e rëndë’’ dhe ‘’Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale’’.
“Gjithashtu, nga Departamenti Përgjithshëm, janë paraqitur dy (2) kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj tre (3) personave, si dhe janë ngritur tri (3) aktakuza, kundër gjashtë (6) personave, për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Themelore në Gjakovë, gjatë 24 orëve të fundit, ka ndaluar dy (2) persona në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore ‘sipas KPRK-së. Po ashtu, për njërin nga të ndaluarit, Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ndërsa i ndaluari tjetër është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit.
Ndërsa në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, siç bëhet e ditur në njoftim, gjatë 24 orëve të fundit në Departamentin e Përgjithshëm ka ngritur 3 (tri) aktakuza kundër 3 (tre) personave për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm gjatë 24 orëve të fundit, ka ngritur gjashtëmbëdhjetë (16) aktakuza për tetëmbëdhjetë (18) persona për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka sekuestruar përkohësisht një (1) veturë për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” sipas KPRK-së.
Edhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 24 orëve të fundit ka ngritur shtatë (7) aktakuza ndaj shtatë (7) personave për vepra të ndryshme penale.
“Gjatë 24 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ndaluar për 48 orë një (1) person për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe ‘Lëndim i lehtë trupor’. Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale “Grabitja” sipas KPRK-së”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë së Shtetit. /Telegrafi/