Telegrafi

Gjatë 24 orëve të fundit në Brazil raportohen mbi 32 mijë raste me COVID-19, bëhet vendi i dytë në botë për nga numri i të infektuarve

Në Brazil gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32.091 persona të infektuar me coronavirus si dhe 1.272 tjerë që kanë humbur jetën, ka njoftuar ministria e Shëndetësisë së këtij vendi.

Në këtë vend në Amerikën e Jugut, në total janë regjistruar 739.503 të prekur me COVID-19, kështu Brazili është bërë vendi i dytë në botë për nga numri i të infektuarve, menjëherë pas SHBA-ve, transmeton Telegrafi.

Në anën tjetër, numri i përgjithshëm i viktimave nga COVID-19 në këtë vend ka shkuar në 38.406, duke u renditur në vendin e tretë në botë, raporton agjencia e lajmeve Reuters, duke u thirrur në të dhënat më të reja që i ka publikuar ministria e Shëndetësisë në Brazil.

Gjithashtu është raportuar se kjo ministri gjatë vikendit të kaluar ka shlyer të dhënat nga ueb-faqja e saj zyrtare, që vazhdimisht publikonte numrin e përgjithshëm të prekurve dhe vdekurve si pasojë e COVID-19.

Megjithatë ato filluan sërish të publikohen kur gjykata konstatoi se është bërë shkelje, duke urdhëruar zyrtarë të kësaj ministrie që menjëherë të përditësojnë të dhënat dhe t’i publikojnë. /Telegrafi/