Liverpooli ka arritur të sigurojë finalen e Ligës së Kampionëve.
Skuadra angleze ka arritur t’i eliminojë dy kundërshtarë shumë të fortë si Manchester City në çerekfinale dhe Romën në gjysmëfinale.
E merita të mëdha për këtë kalim në finalen e madhe ka edhe mbrojtësi i majtë, Andrew Robertson.
Mbrojtësi i Liverpoolit ka shkëlqyer këtë edicion nën me fanellën e kuqe si në kampionat ashtu edhe në garat evropiane.
Por gjashtë vite më parë, Robertson as në ëndrrat e tij më të mira nuk e kishte menduar këtë sukses.
Ai në vitin 2012 shkruante një status në Twitter ku kërkonte punë pasi nuk kishte para.
“Jeta në këtë moshë është një mbeturinë pa para. Kam nevojë për punë”, shkruante Robertson.
Në atë kohë, Robertrson ishte në ekipin e të rinjve tek Queen’s Park në Skoci.
Skocezi pastaj filloj shkëlqimin një vit më vonë në Dundeen në Skoci, për tu transferuar në Hull City në Angli.
Vitin e kaluar Liverpooli vendosi të paguante nëntë milionë euro për ta transferuar në Anfield dhe nuk kishte gabuar.
Robertson tani është njëri nga mbrojtësit më të mirë të majtë në Ligën Premier dhe e ka forcuar shumë Liverpoolin në fazën defensive.
Statusi i tij i shkruar në vitin 2012 është shpërndarë jashtëzakonisht shumë nëpër rrjetet sociale, ku tifozët e futbollit kanë komentuar se me punë dhe përkushtim arrihen të gjitha.
Tani Robertson dhe futbollistët tjerë të Liverpoolit po synojnë që ëndrrën ta kthejnë në realitet për ta fituar trofeun më të çmuar në Evropë, që është ai i Ligës së Kampionëve. /Telegrafi/