Site icon Telegrafi

Gjashtë universitete private rrezikojnë të mbyllen për mosplotësim kushtesh (Video)

Gjashtë institucione të arsimit të lartë privat në Kosovë, rrezikojnë që të mbyllen tërësisht. Kjo për shkak se atyre në shtator u skadon akreditimi institucional dhe ai i programeve, raporton KTV.

Kasi që nuk janë as afër plotësimit të kritereve, kryetar i Këshillit Shtetëror për Cilësi në Agjencinë e Akreditimit, Blerim Rexha, thotë se institucionet e arsimit të lartë privat janë njoftuar për këtë vendim.

Shumica prej këtyre kolegjeve nuk u akredituan në mungesë të njërit prej kushteve kryesore, e që është: tre doktorë shkence për një program studimi.

Rexha ka theksuar se ka mungesë të madhe të stafit akademik nëpër këto kolegje, por që, sipas tij, po punohet në përmirësimin e kësaj situate.

Mirëpo, ekspertët e arsimit thonë se këto kritere, për të cilat paralajmërohet mbyllja e këtyre kolegjeve, ekzistonin edhe në kohën kur ato ishin licencuar.

KTV-ja ka kontaktuar me drejtuesit e kolegjit ‘Victory’, njërin nga kolegjet e paakredituara. Skënder Syla nga ky kolegj ka thënë se ata kanë vendosur që të mos aplikojnë për akreditim për këtë vit akademik dhe se me këtë i kanë njoftuar të gjitha institucionet.

Ndërsa, pronari i kolegjit “Humanistika”, Ismajl Hasani, ka mohuar se ky kolegj është në mbyllje. Ai, nëpërmjet telefonit, ka thënë se janë në proces të riakreditimit dhe po punojnë në kompletimin e stafit akademik, ashtu siç kërkohet me ligj. Kohavisioni ka tentuar të kontaktojë edhe me kolegjet tjera, por kontakti me to ka qenë i pamundur.

Exit mobile version