Site icon Telegrafi

Gjashtë të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në protestat e Irakut jugor

Gjashtë njerëz u vranë dhe dhjetëra të plagosur në qytetet jugore të Irakut, Basra dhe Nasiriya si rezultat i përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.

Ndërkohë në Bagdad, beteja në rrugë midis forcave të sigurisë dhe protestuesve vazhdoi me demonstruesit që kërkonin shërbime themelore, mundësi punësimi dhe përfundim të korrupsionit, transmeton Telegrafi.

“Tre protestues u vranë në përleshje të dhunshme me forcat e sigurisë në Umm Qasr, në jug të Basra, dhe 78 të tjerë u plagosën. Ndërkohë, tre protestues u vranë në Nasiriya dhe 71 njerëz u plagosën”, tha Këshilli Irakian për të Drejtat e Njeriut, në një deklaratë.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë të veprojë menjëherë për t’i dhënë fund përdorimit të tepruar të dhunës kundër protestuesve”.

Të paktën 330 njerëz janë vrarë që prej fillimit të trazirave masive në Bagdad dhe Irakun jugor në fillim të tetorit, demonstratat më të mëdha në dekada.

Numri i të vdekurve në Bagdad, Nasiriya dhe Basra gjatë 24 orëve të fundit arriti në 12, sipas burimeve të sigurisë dhe mjekësisë.

Vdekjet që nga e shtuna ishin rezultat i përdorimit të forcave të sigurimit të armëve të gjalla dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve, thanë burimet për Al Jazeera.

Khaled al-Mahanna, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, tha që të shtunën natën tre protestues u vranë në Bagdad vetëm brenda 24 orëve. Më shumë se 100 të tjerë u plagosën, përfshirë 30 anëtarë të forcave të sigurisë në përleshje me protestuesit në urën e Ahrar. /Telegrafi/

 

Exit mobile version