Site icon Telegrafi

Gjashtë të vdekur pas rrëzimit të një aeroplani në Kanada

Gjashtë persona kanë vdekur pasi është rrëzuar një aeroplan që transportonte punëtorët e minierës së diamanteve të kompanisë Rio Tinto në Kanada.

Aeroplani u rrëzua menjëherë pas ngritjes pranë qytetit të Fort Smith. Një i mbijetuar u transportua me helikopter në spital, ndërsa gjashtë persona vdiqën.

Kompania njoftoi se ishte duke punuar ngushtë me autoritetet ndërsa po hetonin aksidentin, raporton bbc.

“Ne jemi absolutisht të shkatërruar nga ky lajm”, tha në një deklaratë CEO i Rio Tinto, Jakob Stausholm.

Zyrtarët thanë se aeroplani i vogël, i cili mund të transportonte 19 persona, ishte rrugës për në minierën e diamantit Diavik të Rio Tintos.

Transmetuesi publik kanadez CBC raportoi se aeroplani u rrëzua rreth 500 metra nga fundi i pistës në Aeroportin Rajonal Fort Smith. Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Shpëtimit të Trentos njoftoi se humbi kontaktin me aeroplanin menjëherë pas ngritjes.

Miniera e diamanteve Diavik e Rio Tintos ndodhet rreth 300 kilometra në verilindje të Yellowknife. Siç thuhet në faqen e internetit të kompanisë, ajo ka funksionuar që nga viti 2003.

Policia Mbretërore Kanadeze dhe Bordi Kanadez i Sigurisë së Transportit po hetojnë aksidentet. /Telegrafi/

Exit mobile version