Në Gjykatën Penale për këtë javë janë planifikuar të mbahen gjashtë seanca gjyqësore për lëndët e Prokurorisë Speciale. Në Gjykatë seanca duhet të mbahen për lëndët “Trust”, “Spiuni”, “Transportuesi”, “TNT” dhe “Tarifa”.
Seanca për lëndën “Trust” javën e kaluar u shty për shkak të përkeqësimit shëndetësor të të akuzuarit të dytë në këtë rast, Vasilije Aviroviq, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Në lëndën “Spiuni” mes të 18 personave të akuzuar është edhe ish-gjenerali i policisë, Goran Stojkov. Ndërsa seanca e fundit para një muaji, u shty për shkak të mungesës së të akuzuarit Marijan Efremov.
Për lëndën “Transportuesi” janë planifikuar dy seanca, të martën dhe të enjten. Në këtë lëndë i akuzuar është edhe ish-kryetari i Manastirit, Vlladimir Taleski.
Më 24 janar duhet të fillojë gjykimi për lëndën “TNT”, e cila ka të bëjë me rrënimin e objektit “Kosmos”, ku i akuzuar është edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski dhe ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski.
Ndërsa më 26 janar është planifikuar seanca gjyqësore për lëndën “Tarifa”, në të cilën të akuzuar janë ish-drejtori i ELEM, Dejan Boshkovski dhe dy persona tjerë./Telegrafi/