Në Gjilan sonte janë regjistruar gjashtë raste të reja me coronavirus.
Nënkryetari Arbër Ismaili thotë për RTV Dukagjinin se rastet e ditës së sotme janë raste kontakti dhe të pritura për shkak të mostrave të mëdha që janë dërguar nga Komuna e Gjilanit.
“Kemi pritur një numër më të madh të rasteve për ditën e sotme. Për fat të mirë fati sonte ka qenë me ne pasi nga një numër i konsiderueshëm i mostrave kanë rezultuar vetëm gjashtë raste”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ismaili thotë se numri total i të prekurve në Gjilan ka shkuar në 81. Nga ta të shëruar janë 47, ndërsa 32 raste me COVID-19 janë aktive.
Nënkryetari thotë se asnjëri nga rastet e reja nuk janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive dhe gjendje e tyre është stabile.
“Kryesisht janë të moshës së mesme me pak të moshuar”.
Ismaili thotë se tashmë do të merren edhe kontaktet e kontakteve për t’u testuar ku mund të rezultojnë edhe infektime të reja./Telegrafi/