Telegrafi

Gjashtë raste me HIV/AIDS në Kosovë në vitin 2019, dy prej tyre kanë përfunduar me vdekje

Gjatë vitit 2019 në Kosovë janë shënuar gjashtë raste me HIV/AIDS, ku dy prej tyre  kanë përfunduar me vdekje.

Kështu është bërë e ditur në shënimin e Ditës Botërore të HIV/AIDS, të organizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, tha se gjatë vitit 2019 janë identifikuar gjashtë raste me HIV/AIDS, ndërsa bëri të ditur se dy prej tyre kanë vdekur.

Luljeta Gashi, shefe e njësisë së HIV/AIDS në IKShPK, tha se Kosova klasifikohet si vend me shkallë të ulët të epidemisë, por me potencial të rritjes, posaçërisht në mesin e popullatës MSM.

“Që nga viti 1986 deri në vitin 2019 në Kosovë janë raportuar 128 raste, deri më tani 51 kanë vdekur. Në vitin 2019 janë 6 raste të reja, dy prej tyre kanë vdekur. Komuna e Prishtinës dominon me numrin më të madh të rasteve të raportuara”, tha ajo./kp/Telegrafi/