Në mbledhjen e Bordit të drejtorëve në komunën e Mitrovicës u diskutua për trajtimin e objekteve të vjetra që paraqesin rrezik nga vetë rrënimi, për gjendjen e pastërtisë në qytet dhe për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila kishte ekzistuar që nga viti 1770, por që gjatë luftës ishte djegur nga ekstremistët serbë.
Kryetari Bahtiri, tha se ka kërkesa të mëdha të besimtarëve myslimanë nga lagjet veriore të qytetit, por që aktualisht jetojnë në pjesën jugore, për shkak të pamundësisë për tu kthyer në pronat e tyre, si dhe nga Bashkësia Islame që të rindërtohet kjo Xhami aty ku ka qenë më parë.
Ai tha se deri më tani ka biseduar për këtë çështje me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, për të ndihmuar në këtë drejtim dhe ka marrë premtime edhe nga ata se do të japin kontributin e tyre për realizimin e kësaj kërkese, që është plotësisht e drejtë.
Ndërsa, lidhur me trajtimin e objekteve të vjetra që paraqesin rrezik nga vetërrënimi, drejtori i Inspeksionit, Naim Hajra, tha se Inspeksioni ka identifikuar gjashtë objekte të këtilla, andaj edhe kërkoj që të rishqyrtohet edhe çështja e tyre dhe të merren masa adekuate, pasi ato paraqesin rrezik për jetën e qytetarëve.
Hajra përmendi konkretisht objektin e Xhafer Devës, duke thënë se është rekomanduar që sa më shpejt të bëhet restaurimi i tij, sepse në të kundërtën ai do të paraqet rrezik të madh për qytetarët të cilët kalojnë andejpari.
Po ashtu drejtori Hajra, kërkojë që sa më parë të zgjidhet problemi i kontratës me operatorin përgjegjës për rrënimin e objekteve të vjetra, në mënyrë që të krijohen mundësitë për veprim dhe evitim të rrezikut.
Anëtarët e Bordit diskutuan edhe për pastërtinë e qytetit të Mitrovicës, ku u shprehen të pakënaqur me gjendjen aktuale, thuhet në njoftimin e komunës së Mitrovicës
Sipas tyre, kompania ‘Uniteti’, por edhe qytetarët e Mitrovicës, nuk po i kryejnë obligimet e tyre, andaj edhe janë përgjegjës për gjendjen jo të mirë sa i përket pastërtisë në qytet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/