Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, pritet të kthehet në Rusi të dielën, për herë të parë që kur u helmua verën që lamë pas, pavarësisht urdhrit të deklaruar të autoriteteve për ta arrestuar dhe burgosur potencialisht për vite me radhë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, Nalvalny një nga kritikët më të zëshëm të presidentit rus Vladimir Putin, njoftoi këtë vendim të mërkurën, për t’u kthyer nga Gjermania – duke thënë se i mungonte Moska dhe u shpreh se nuk i interesonte për ato që ai i quajti çështje të reja të fabrikuara kriminale kundër tij.
“Çështja nëse ‘do të kthehem apo jo’ nuk qëndron te unë. Thjesht sepse nuk u largova. Unë përfundova në Gjermani, pasi kisha mbërritur nën kujdesin intensiv. Më 17 janar, e diel, do të kthehem në shtëpi. Ejani të më përshëndetni”, kishte njoftuar në Twitter Navalny.
Navalny u sëmur gjatë një fluturimi nga Tomsk për në Moskë, në gusht të vitit 2020 dhe u vendos në një gjendje kome në një spital në Siberi, para se të transferohej në Gjermani.
Testet laboratorike të kryera në Gjermani, Francë dhe Suedi kanë vërtetuar se Navalny ishte helmuar me një agjent nervor të klasës Novichok, një rezultat i konfirmuar edhe nga Organizata Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike.
Pas helmimit të tij, Bashkimi Evropian vendosi sanksione ndaj gjashtë zyrtarëve rusë dhe një instituti kërkimor shtetëror.
Ai ka akuzuar Putinin, për urdhërimin e helmimit, një pretendim i hedhur poshtë nga Kremlini. /Telegrafi/