Australia do të lejojë brenda disa javësh banorët e Zelandës së Re të hyjnë në vend pa pasur nevojë për karantinë.
Kështu ka thënë të premten zëvendëskryeministri Michael McCormack, ndërsa Canberra kërkon të ringjallë ekonominë e saj të prekur pasi rastet e COVID-19 fillojnë të shënojnë rënie.
Duke hapur kufijtë e saj për herë të parë për të huajt, McCormack tha se qytetarët dhe banorët e Zelandës së Re do të lejohen të udhëtojnë në shtetin më të populluar të Australisë, Uellsin e Ri të Jugut dhe territorin e tij të largët Verior që nga 16 tetori.
Kështu, ata nuk do të duhet t’i nënshtrohen një karantine të detyrueshme dy-javore, e cila kërkohet nga të gjithë australianët që kthehen nga vendet e tjera.
Zelanda e Re në mënyrë efektive ka “çrrënjosur” COVID-19, duke zvogëluar kërcënimin e infeksioneve shtesë në Australi.
Por ndërsa Australia ka lehtësuar kufizimet për aleatin e saj më të ngushtë, kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha më herët të premten se ata që udhëtojnë në Australi do të duhet të bëjnë karantinë kur të kthehen.
Ajo gjithashtu tha se Zelanda e Re nuk do të hapë kufijtë e saj për australianët tani për tani. /Telegrafi/