Telegrafi

Gjashtë minatorë kërkojnë ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës

Foto nga arkivi

Gjashtë minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës të premten, pasi iu është keqësuar gjendja shëndetësore për shkak të grevës.

Nga spitali kanë konfirmuar për Telegrafin se të njëjtit janë paraqitur me lodhje, marramendje dhe të dehidratuar. Pas marrjes së terapisë në Emergjencë, ata janë liruar për në shtëpi.

“Nga mëngjesi gjashtë minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës. Ata janë paraqitur me lodhje, marramendje dhe të dehidraturar, pra i kanë humbur lëngjet. Pas marrjes së terapisë në Emergjencë, janë rehabilituar dhe janë liruar për në shtëpi”, ka thënë drejtoresha e spitalit, Luljeta Zhubi.

Minatorët e ndërmarrjes “Trepça” po mbajnë grevë tash e katër ditë me kërkesat për përmirësimin e kushteve të punës, sigurimi shëndetësor, ekzekutimi me rregull i pagave dhe shkarkimi i kryeshefit. /Telegrafi/