Telegrafi

Gjashtë kompani do të mirëmbajnë rrugët e Prishtinës në dimër

Mirëmbajtja dimërore e rrugëve sivjet, sipas autoriteteve komunale, do të bëhet nga të njëjtat kompani që e kishin kryer të njëjtën punë në dimrin e shkuar dhe gjatë verës së sivjetme.

Këtë e ka konfirmuar Enver Zymberi, përfaqësuesi i “Toifort”, i njërës nga kompanitë që vjet e kishte fituar tenderin. Por ky i fundit ka thënë se sipas kontratës që kanë, pavarësisht që ka reshur borë natën e së mërkurës dhe paradite të enjten, sezoni i mirëmbajtjes dimërore fillon më 15 nëntor të vitit.

“Kjo është e rregulluar me kontratë dhe deri atëherë jemi duke funksionuar sipas mirëmbajtjes verore”, ka theksuar ai për të treguar se pas 15 nëntorit llogaritet që temperaturat zbresin nën zero gradë, kështu që mund të nevojitet edhe përdorimi i kripës.
Sipas Zymberit, i cili i mirëmban rrugët kryesore të qytetit, saktësisht të qendrës së tij, kompania është e gatshme për çdo ndërhyrje, se i ka rreth 200 tonelata kripë rezervë dhe se i ka kërkuar miratim Komunës së Prishtinës për sigurimin edhe të 200 tonelatave. “Për një zonë një kompani duhet t’i ketë 400 tonelata kripë për mirëmbajtje dimërore të rrugëve”, ka thënë Zymberi, shkruan Koha Ditore.

Komuna, qysh vjet në muajin nëntor, nëpërmjet procedurave ligjore kishte kontraktuar katër operatorë privatë për mirëmbajtjen e rrugëve dhe rrugicave, ndërkohë që sipas kontratës së nënshkruar edhe dy operatorët për pastrimin e rrugëve nga dëbora nëpër zonat e thella të Komunës së Prishtinës. Ndërmarrja “Toifor” kujdeset për pjesën e parë të qytetit ku hyjnë 74 rrugë, dhe ishte kontraktuar me një çmim prej 96 mijë e 946 eurosh e 68 centë.

Në pjesën e dytë, ku hyjnë 64 rrugë, është angazhuar kompania ”Zahiri”, e cila për këtë shërbim do të paguhet 70 mijë e 734 euro. Në pjesën e tretë, ku hyjnë 67 rrugë, është angazhuar kompania “Alkoimpex”, çmimi për sezonin dimëror është 72 mijë e 082 euro dhe në pjesën e katërt ku janë 103 rrugë është angazhuar grupi i operatorëve ekonomikë, “Europapartners&Luboteni”, me çmim për sezonin dimëror 83 mijë e 898,20 euro. Për pastrimin e rrugëve në zonat e thella, një vit më parë ishin angazhuar kompanitë “Dardania” dhe “VZ kompani”.

Zëdhënësja e Komunës së Prishtinës, Miranda Mullafzliu-Bejta. Ajo ka treguar se kompanitë në fjalë kanë për obligim mirëmbajtjen e përafërsisht 308 rrugëve të kryeqytetit. /Telegrafi/