Site icon Telegrafi

Gjashtë komisione kuvendore sot mbajnë seanca

Në Kuvendin e Maqedonisë, sot seanca do të mbajnë komisionet për çështje ekonomike, për financim dhe buxhet, për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive, për arsim, shkencë dhe sport, për mbrojtje dhe siguri dhe Komisioni ligjdhënës-juridik.

Komisioni për çështje ekonomike do ta shqyrtojë Raportin e Komisionit ligjdhënës-juridik, sipas Propozimit të ligjit për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për ndërmarrjet publike në lexim të dytë dhe propozim ligjet për mbështetje financiare të investimeve dhe Ligjit për Inspektoratin shtetëror të tregut në lexim të parë.

Në seancën e Komisionit për financim dhe buxhet në lexim të dytë do të shqyrtohet Propozim-ligji për paraqitje dhe evidencë të obligimeve.

Para Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive në rend dite janë Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për gjykatat dhe Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë në lexim të parë. Komisioni për arsim, shkencë dhe sport do të debatojë për Propozim-ligjin për Gjimnazin matematiko-informatik në lexim të dytë.

Anëtarët e Komisionit për mbrojtje dhe siguri do t’i shqyrtojnë Propozim-ligjin për mbrojtje ndërkombëtare dhe të përkohshme në lexim të dytë dhe Propozim-ligjin për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për siguri të komunikacionit në rrugë në lexim të parë.

Komisioni ligjdhënës-juridik do të debatojë për Propozim-ligjin për paraqitje dhe evidencë të obligimeve, Propozim-ligjin për gjimnazin matematiko-informatik dhe Propozim-ligjin për mbrojtje ndërkombëtare dhe të përkohshme, të gjithë në lexim të dytë.

Exit mobile version