Më 26 janar 2017 gjashtë institucione gjyqësore morën certifikata për standardin e cilësisë ISO 9001:2015 në kuadër të Programit të USAID-it për përmirësimin e performancës së organizatave, njofton Telegrafi Maqedoni.
Këshilli gjyqësor dhe Gjykata e lartë e Republikës së Maqedonisë dhe katër gjykatat e apelit në Shkup, Shtip, Manastir dhe Gostivar, jo vetëm që janë institucionet e para gjyqësore të certifikuara për këtë standard për menaxhim të cilësisë, por gjithashtu janë edhe institucionet e para të shtetit që janë certifikuar për versionin e fundit të këtij standardi.
Vendosja e standardit ISO u zhvillua gjatë periudhës 2015-2016. Procesi përfshiu: 1) përgatitje fillestare dhe kontrollim të dokumentacionit të përgjithshëm, 2) hartim të politikës për sigurim të cilësisë dhe doracakut për sigurim të cilësisë, 3) hartëzim të kontekstit, procesit sistemik dhe operativ dhe hartëzim të procedurës, 4) analizë e rrezikut dhe zhvillim të treguesve kryesorë të performancës dhe 5) përgatitje dhe certifikim të auditorëve të brendshëm dhe zbatim i auditimit të brendshëm.
Pas përfundimit të auditimeve të brendshme në institucionet pjesëmarrëse, u zhvillua një auditim certifikimi në të cilin u konkludua se gjashtë institucionet i përmbushin kriteret për marrjen e certifikatës ISO 9001:2015. Vendosja e ISO 9001:2015 u mbështet nga Evrosimovski Counsulting, ndërsa certifikatat u lëshuan nga trupi i akredituar për certifikim për ISO 9001:2015, Intercert.
Në deklaratën e tij, Drejtori i Misionit të USAID, James Stein tha: “Në 25 vitet e fundit, USAID ka ndihmuar Maqedoninë në vendosjen e një sistemi efikas dhe transparent gjyqësor dhe ka punuar që të fuqizojë kapacitetet e gjykatave për një aplikim më efektiv dhe konzistent të politikave dhe praktikave gjyqësore. Në kuadër të Programit për përmirësimin e performancës të organizatave, USAID ndihmoi institucionet gjyqësore në zbatimin e proceseve të prokurimit në një mënyrë më efektive, duke i përmbushur obligimet e tyre ligjore për vendosjen e sistemeve të menaxhimit të cilësisë. Anëtaret e përkushtuar të ekipeve të menaxhimit të cilësisë në gjykatat e juaja, së bashku me anëtarët dhe konsulentët e ekipit të Programit të USAID-it për përmirësimin e performancës së organizatave, disenjuan dhe zbatuan një proces inovativ dhe tejet participativ gjatë vendosjes së standardit ISO. Ky proces është tërësisht i përshtatshëm për zbatim në të gjitha gjykatat e tjera mbarë vendit dhe duhet të zbatohet gjithandej”.
Kryetari i Këshillit gjyqësor, Zoran Karaxhovski tha: “Kemi punuar rreth vendosjes së standardit ISO 9001:2015 dhe jemi krenarë që kemi vendosur versionin më të fundit të këtij standardi.” Karaxhovski gjithashtu theksoi se ky proces nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e USAID-it. “Në dy vitet në vijim, ky proces do të drejtohet drejt rivlerësimit të proceseve dhe procedurave dhe përmirësimit të efektivitetit dhe efikasitetit të këtyre trupave gjyqësorë”, tha Karaxhovski.
Drejtoresha e Programit të USAID-it për përmirësimin e performancës së organizatave, Valbona Morina Maksut, theksoi se cilësia, efikasiteti dhe pavarësia janë komponentët kryesorë të një sistemi efektiv gjyqësor, nëpërmjet të cilit sigurohen të drejtat themelore të njeriut dhe mbështetet zhvillimi ekonomik i shtetit.
Programi i USAID-it për përmirësim të performancës së organizatave në Maqedoni, i zbatuar nga DETRA Centar, ka për qëllim përmirësimin e performancës së disa institucioneve, të një rëndësie thelbësore për zhvillimin e shtetit dhe për objektivat e Misionit të USAID-it në Maqedoni. Gjatë programit, ndërhyrjet për përmirësim të performancës janë zbatuar në këto shtatë organizata: Sekretariati për çështje evropiane, Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës, Zyra administrative e Këshillit të buxhetit gjyqësor, Agjencia për promovimin dhe mbështetjen e turizmit, Fondacioni Step by Step dhe Qendra për hulumtime strategjike dhe dokumentim – Forum. Si rezultat i kësaj, janë përmirësuar strukturat dhe proceset e punës të këtyre organizatave dhe janë zgjeruar njohuritë dhe shkathtësitë e punonjësve të tyre./Telegrafi/