Site icon Telegrafi

Gjashtë fitore nga gjashtë duele profesionale – Benjamin Imeri është i gatshëm të dhurojë spektakël këtë fundjavë

Boksieri profesionist shqiptar, Benjamin Imeri synon ta vazhdojë formën e jashtëzakonshme, me gjashtë fitore radhazi, kur të boksojë në këtë fundjavë.

Këtë të shtunë (16 nëntor), në “Osterman Arena” në Leverkusen të Gjermanisë, boksieri nga Gostivari shpreson t’i dëshmojë edhe njëherë cilësitë e tij.

Benjamini do të përballet me boksierin serb, Vanja Dumitrov – duke synuar që të marrë fitore të lehtë dhe të kërkojë një kundërshtar të rangut më të lartë.

Foto: Benjamin Imeri

Boksieri shqiptar do të ndeshet në kategorinë gjysmë të rëndë, derisa në matjet zyrtare ka peshuar 79 kilogramë.

Para duelit, Imeri ka thënë se është shumë i motivuar për ndeshjen e shtatë profesionale në karrierë dhe ka kërkuar që të gjithë tifozët shqiptarë të jenë prezentë në sallë.

“Jam i përgatitur për të zhvilluar ndeshjen e shtatë dhe për të sjellë një tjetër fitore për të gjithë ata që më përkrahin”, ka deklaruar boksieri 21-vjeçar.

“Pres mbështetjen e tifozëve shqiptarë në Osterman Arena për ta ndarë këtë moment së bashku me mua”.

Përballja pritet që të fillojë në ora 16:30 sipas kohës tonë lokale dhe Imeri është favorit absolut ndaj serbit që ka një rekord prej 41 humbjesh dhe vetëm katër fitore në gjithë karrierën e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version