Tefik Ibrahimi, bashkë me familjen e tij, thotë të kenë shpenzuar rreth pesë mijë euro gjatë kohës sa kanë qenë të infektuar me COVID-19.
Këto shpenzime u bënë, sipas tyre, për shkak të mungesës së barnave në Klinikën Infektive, megjithëse një pjesë u shpenzuan për Remdesivir.
Ibrahimi nuk i lë në faj stafin mjekësor, por sistemin që nuk e ka mundësuar sigurimin shëndetësor.
“Në klinikë pos tretjeve fiziologjike, përveç disa infuzioneve, shiringave, të gjitha shpenzimet tjera janë mbuluar nga familja…Nuk është faji i personelit mjekësor pse në klinika nuk ka pambuk apo alkool. I gjithë ky kolaps në shëndetësi nuk është krijuar sot, as dje e as prej një muaji apo viti. Prej 20 vitesh ne qytetarët e Kosovës nuk kemi sigurim shëndetësor”, deklaroi për Klan Kosovën, Tefik Ibrahimi.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës i drejtorit të SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, i bëri thirrje të gjithë atyre që kanë shpenzuar shumë të mëdha në trajtimin e coronavirusit t’i dokumentojnë ato dhe më pas do të shihen mundësitë për ndihmesë.
“Unë i inkurajoj të gjithë ata që kanë dëshmi për medikamentet që kanë shpenzuar do të shohim mundësitë për të ndihmuar qytetarët”, deklaroi Valbon Krasniqi.