Telegrafi

Gjasat janë 90 për qind që Girona-Barca të zhvillohet në SHBA

Kreu i La Ligas, Javier Tebas, ka thënë se gjasat janë 90 për qind që ndeshja e parë e kampionatit spanjoll që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jetë aj ndërmjet Gironas dhe Barcelonës.

Liga elitare spanjolle do të përfitojë 232.8 milionë dollarë (200 milionë euro) për zhvillimin e disa ndeshjeve në Amerikën Veriore, në bazë të një marrëveshjeje 15-vjeçare që është nënshkruar në muajin e kaluar.

“Girona-Barcelona 90 për qind do të luhet në Shtetet e Bashkuara, mirëpo marrëveshja nuk është vetëm për një ndeshje, por për një proces që është shumë më i madh”.

“Kemi zhvilluar një proces ofertash deh shumë kompani janë përfshirë. Klubet nuk janë të obliguara ta luajnë një ndeshje në vit në Shtetet e Bashkuara, por vetëm klubet që dalin vullnetare për të shkuar, do të shkojnë”.

“Por ta kemi të qartë, është fjalë për më tepër se një lojë, për një strategji dhe sponsorizim”, ka thënë Tebas në një intervistë për radiostacionin Onda Cero.

Tifozët ultras të Gironas që në këtë ndeshje është ‘nikoqir’ do ta kenë mundësinë të udhëtojnë pa pagesë drejt stadiumit të Miami Dolphins, Hard Rock Stadium, në Florida, i cili ka kapacitet prej 65.000 ulësesh.

“Ndeshja është planifikuar t’u ndihmojë skuadrave që nuk kanë bazë të madhe tifozësh”, ka shtuar Tebas.

Girona është pjesërisht në pronësi të Manchester City dhe sa bashku me pronarin e Miami Dolphins, Stephen Ross, e kanë njoftuar La Ligan se janë të interesuar për këtë ndeshje. /Telegrafi/