Site icon Telegrafi

Gjarpri e ha bishtin e vet

Për herë të parë në karrierën e tij, foli Lulzim Peci. Karrierë më të shkurtër se ish-“ambasadori” shqiptar në Beograd, ka pasur vetëm Rudolph Valentino, i cili qëndroi i kurorëzuar gjashtë orë, për t’u shkurorëzuar në panik, urgjentisht, të nesërmen.

Thyerjen e heshtjes jetësore Lulzimi e promovoi midis Beogradi. I tha fjalët e fundit. Ata që nuk i shprehin në Kosovë me fjalë emocionet dhe përshtypjet, ndjenjat dhe idetë, ata i rezervojnë dhe i akumulojnë ato derisa një ditë u këputet filmi për pak gjë, papritur midis Beogradi. Emocionet e frenuara shfrenohen, shpërthejnë për t’u shfaqur publikisht. Të gjitha përnjëherë, njëra pas tjetrës, si kur ua çel bletëve derën e kosheres së tyre.

Z. Peci e ka ditur përshkrimin e detyrave të tij të punës. E ka ditur shumë mirë se duhet ta mbajë gojën mbyllur, ashtu siç e ka mbajtur gjatë gjithë jetës, dhe s’duhet të merret me politikë.

Prej tij kërkohej të miratojë urdhrat që i vijnë nga Kosova e që monitorohen nga zyra e BE-së në Beograd. Prej tij nuk kërkohej që të paraqitej si diplomat.

Lulzimi është dërguar atje si njeri “pa gojë”, se Kosova ka mungesë të këtyre karaktereve. Se, po të paraqitej nevoja për njerëz “me gojë të madhe”, qe ku e kemi Murat Jasharin, të cilin Hashim Thaçi nuk ka guxim ta propozojë as për “Avokat të popullit”, për shkak se nervozohen serbët kur u bie në mend gjaku deri në gjunjë i shqiptarëve midis Prekazi.

Hashim Thaçi nuk do t’ua përmend krimet serbëve. Kujt i pëlqen – mirë; kujt si pëlqen – le të japë “dorëheqje”.

Ish ambasadori e ka dhënë edhe arsyen e “dorëheqjes”. Për herë të parë një “dorëheqje” në Kosovë nuk bëhet për arsye personale, por për arsye kombëtare. Shumë interesant. Lulzimi ka treguar se nuk është pajtuar me kritikat që ia ka bërë kryeministri i Kosovës. Hashim Thaçi i ka bërtitur në telefon Lulzimit, pse Lulzimi ka deklaruar për B92 se normalizimi i plotë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë do të bëhet atëherë kur Serbia do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Nuk ka lidhje që homologu i Lulzimit, Dejan Paviçeviq (nga vitit 2008 ka qenë shef i kabinetit në Ministrinë për Kosovën e Metohinë), midis Prishtinës tha se Serbia kurrë nuk do ta pranojë Kosovën si shtet, dhe e përsëriti faktin se Kosova është krahinë autonome në kushtetutën e Serbisë.

Kryeministri i Kosovës flet në emër të Serbisë, si zëdhënës i Daçiqit. Ama, jep përgjegjësi vetëm për Lulzimin. Në momentet kruciale, Serbia bëhet me dy kryeministra që e mbrojnë nga patriotizmi i katundarëve shqiptarë, Daçiçi dhe Thaçi.

Kryeministri i shqetësuar nuk e ka pritur Serbinë (e as Dick Martyn), që të mbrohet nga deklarata e “ambasadorit” të tij, po urgjent i ka lënë të gjitha punët. As në Ditën e Çlirimit të Skenderajt nuk ka marrë pjesë, që ta parandalojë shpërthimin serb që mund të ndodhë nga deklarata e Lulzimt.

Kryeministri e ka mbrojtur Serbinë nga Lulzim Peci, duke e qortuar si fakirin, aq sa Lulzimit ia ka bërë punën që të jap “dorëheqje” për gabimin e tij fatal, të cilin nuk e kish bërë as Kadri Veseli që është "abetare" në politikë.

"Arti i luftës" i Hashim Thaçit është banal, por i suksesshëm. Se, lufta gjithmonë është banale. Para luftës në Drenicë, kur burrat donin t’i përzinin nga shtëpia nuset e padëshiruara, ua bënin punën (pa fjalë) që ato të iknin vet nga shtëpia. Me indiferencë dhe me armë të ftohta, vepronin kështu: nuk ua jepnin mindilat për t’i pastruar, nuk flinin me to, nuk ua pinin çajin, dhe pas një kohe të gjatë injorimi, nuset vetëdijesoheshin dhe iknin vet nga burrat.

Këtë metodë tradicionale të dëbimit, Hashim Thaçi e ka bartur edhe në politikë. Dhe, mirë ka bërë, se kjo metodë gjithmonë “dhez”, siç i ka “dhezur” me Jakup Krasniqin, të cilin e ka larguar me indiferencë banale, si nuset e shekullit XX.

Përveç dashurisë dhe urrejtjes, asgjë nuk rritet në zhurmë. Edhe trëndafilat, edhe flokët, edhe Dielli lind pa zhurmë, edhe mëngjesi zbardh pa zhurmë. Kështu, edhe mendja e Lulzimit u rrit në heshtjen e tij të gjatë.

Në arsyetimin e “dorëheqjes”, Lulzimi ka zbuluar se politika e Kosovës është në shërbim të Serbisë. Në këto rrethana antikombëtare, Lulzim Peci kategorikisht nuk pranon të vazhdojë punën as në Beograd, e as brenda Shërbimit Diplomatik të Republikës së Kosovës.

P.S: Nuk është lehtë të mbash mbi supe tri gjashta (666), sidomos kur qëllon mysliman si Lulzim Peci (i lindur më 6.1966), për shkak se emblema e Satanës, figura e idhullit të Baphomeut, sipas Biblës, e mban numrin 666.

Po të ishte rruga e vdekjes e lehtë, deri tani, pas 2000 e trembëdhjetë vitesh do të paraqitej Antikrishti. Një herë kujtuan që Antikrishti ka hyrë në trupin e Hitlerit, pastaj të Bonapartës, pastaj në trupin e Solanës, po çfarë!?

Numri i parë i telefonit të Hashim Thaçit në fillim të karrierës së tij ka qenë 666… derisa Solana ka pas intervenuar në Vala 900.

As Antikrishti nuk i përballon dot tri gjashta, prandaj nuk vjen qe 2000 vjet.
 

Exit mobile version