Ngjarjeve sportive në qytetin e Gjakovës të dielën e 11 gushtit do t’i shtohet edhe formati 3X3 në basketboll, ngjarje kjo që Gjakovës i ka munguar që nga viti 2019.
Në një intervistë për Telegrafi, Viola Tanushi, një nga organizatoret e kësaj ngjarjeje sportive, tha që organizimi i këtij evenimenti po shkon shumë mirë.
“Organizimi siç po shihet është duke shkuar shumë mirë, dhe pas një kohe të gjatë në Gjakovë ne jemi duke e organizuar Stretball 3X3, për shkak se kemi pasur nevojë dhe ka kërkesa shumë të mëdha. Ja kemi nisur si startim këtë vit që më pas të kemi mundësi që çdo vit ta bëjmë edhe më mirë. Ka pasur interesim shumë të madh nga sportistët që janë nga e gjithë Kosova, dhe presim që do të mbahet një eveniment shumë i mirë”, tha fillimisht Tanushi.
Tanushi po ashtu potencoi që në këtë edicion të 3X3 Gjakova, do të marrin pjesë 8 ekipe.
“Ne këtë organizim e kemi bërë me 8 ekipe, edhe pse në fillim kemi menduar që ta bëjmë vetëm me pjesën e sportistëve të Gjakovës, por e kemi vërejtur që ka interesim nga e gjithë Kosova, sportistëve nga Prizreni, Mitrovica, Istogu e shumë të tjerë dhe kemi vendosur që ta organizojmë një ngjarje ku do të jenë 8 ekipe pjesëmarrëse që të jetë një garë më e fortë dhe të kemi ndeshje që janë interesante dhe atraktive”, deklaroi Tanushi.
Më poshtë mund ta ndiqni intervistën e plotë për të mësuar më shumë rreth ngjarjes “3X3 Gjakova”, e cila do të mbahet më 11 gusht, në ora 16:00. /Telegrafi/