Xhudistja 23-vjeçare në Baku të Azerbajxhanit në muajin qershor fitoi medaljen e bronztë në Lojëra Evropiane, ndërsa me garën e njëjtë fitoi edhe të bronztën e kampionatit evropian të xhudos për vitin 2015.
Gjakova tani është në moment të rëndësishëm të karrierës, është në “luftë” për të fituar normën për Lojërat Olimpike “Rio 2016”. Fitimi i normës do të konfirmonte Gjakovën si njërën prej xhudisteve elitare të Evropës në kategorinë deri 57 kilogramë, që llogaritet aktualisht kategoria me konkurrencën më të madhe në mesin e xhudisteve.
Pikërisht për shkak të konkurrencës së madhe, Gjakova nuk e ka plotësisht të sigurt normën për Rio. Aktualisht është jashtë zonës që siguron normën, shkruan kohaditore.
Te xhudistet, 14 të parat në ranglistën botërore në secilën kategori kualifikohen për Olimpiadë. Çdo vend mund të dërgojë nga një xhudiste për kategori. Pos 14 të parave në ranglistë, normën në bazë të kuotës kontinentale e sigurojnë edhe dy xhudistet më të ranguara nga Evropa, pra të parat nga Evropa jashtë 14-shes së parë.
Nora aktualisht është jashtë zonës që siguron normën dhe nuk ka as kuotë kontinentale. Është e para prej atyre që nuk kualifikohen. Me normë kontinentale aktualisht janë Irina Zabludina e Rusisë me 650 pikë dhe serbja Jovana Rogiq me 544 pikë. Gjakova është në ranglistë menjëherë pas serbes me 514 pikë. Pikët për ranglistë fitohen në bazë të sukseseve nëpër gara.