Gjakova fitoi medaljen e artë në turneun "African Open" dhe kështu fitoi 100 pikë të vlefshme për klasifikim sa më të mirë në ranglistën olimpike. Atë e pret luftë e madhe deri në fund të majit që të zërë vend në zonën që siguron normën për garim në Rio 2016.
Aktualisht 23-vjeçarja pejane është në zonën që i siguron normën, por në kufirin e saj, shkruan sot Koha Ditore.
Gjakova në Tunis ishte e pakonkurrencë në kategorinë deri 57 kilogramë. I pati katër luftëra dhe të gjitha i fitoi bindshëm, me "Ippon".
"Për atë që udhëtuam në Tunis e realizuam. Nora zuri vendin e parë dhe mori 100 pikë në renditje, që i shërbejnë mjaft. Ka luftuar shumë mirë dhe i ka mposhtur bindshëm të gjitha kundërshtaret. Me këtë formë premton rezultate të mira për pjesën e parë të vitit dhe natyrisht realizimin e synimit të madh – normën olimpike", ka thënë Driton Kuka të dielën.