Telegrafi

Gjakova bëhet me Zyrë Informative Turistike

Gjakova tashmë ka Zyrën Informative Turistike. Ajo është hapur në “Çarshinë e Madhe”, pranë Xhamisë së Hadumit.  Kjo Zyrë është hapur me mbështetjen e Komunës së Gjakovës dhe të organizatës suedeze për trashëgimi kulturore ChwB.

Mimoza Kusari Lila tha se kjo zyrë hapet pas përpjekjeve të vazhdueshme që Gjakova të përfshihet në hartën turistike të rajonit.

“Kjo çarshi është më e madhja në Ballkan dhe ka vlera të posaçme, pasi këtu janë Xhamia, Teqja dhe Kisha, dhe këto janë vlera të kombit shqiptar. Po ashtu janë artizanatet, që është edhe arsyeja përse kjo çarshi ishte krijuar dhe ekziston, dhe ne nuk duam që këtu të kemi suvenire të importuara, porse ato të jenë të prodhuara nga duart e arta të artizanëve tanë”, ka pohuar kryetarja Mimoza Kusari Lila, e cila më pas, duke u ndërlidhur me zhvillimin ekonomik, ka bërë të ditur se Komuna e Gjakovës ka ndarë fondin për ndërmarrje të vogla dhe të mesme.

Në emër të organizatës suedeze ChwB , hapjen e Zyrës Informative Turistike e ka përshëndetur Sali Shoshi, i cili pos që ka përmendur investimet në trashëgiminë kulturore historike në Gjakovë, njëherit është shprehur se ky bashkëpunim me Komunën e Gjakovës dhe me organizatat lokale do të vazhdojë, pasi Gjakova ka trashëgimi të pasur kulturore historike.

Në emër të Zyrës dhe të shoqatës “Prokult”, për nismën e punës ka folur Kujtim Rrahmani, i cili ka thënë se ka qenë ëndërr e kahmotshme e tij, dhe së fundmi u realizua pas mbështetjes së ofruar nga Komuna e Gjakovës dhe ChwB-ja, të cilat i ka falënderuar.

“Besoj se ”Çarshia e Madhe” do të ketë rol dhe atraksion më të madh, se sa që ka sot” është shprehur Kujtim Rrahmani. /Telegrafi/