Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Sakip Imeri, ka pritur në takim ekspertët e rinj nga projekti i GIZ-it, të cilët do të vazhdojnë të përkrahin ATK.
Në takim u diskutua për aktivitetet e reformës në ATK për tri vitet e ardhshme dhe mundësitë e kontributit të ekspertëve në realizimin e tyre. Gjithashtu, në takim u potencua edhe njëherë se bashkëpunimi në të ardhmen do të jetë në aspektin e nivelit strategjik, ku ekspertët me përvojën e tyre do të ndihmojnë ATK në planifikimin e resurseve dhe në organizimin e aktiviteteve në të ardhmen, që kjo e ka kuptimin e asaj se përkrahja e deritanishme nga GIZ ka qenë aspektin e krijimit të mekanizmave për ngritjen e përmbushjes së obligimeve tatimore, dhe tani do të vazhdohet me transformimin e tyre në nivele strategjike.
ATK ka një bashkëpunim me GIZ prej disa viteve. Fushat e bashkëpunimit kanë qenë në ngritjen e kapaciteteve të stafit, lidhur me kontrollet tatimore, legjislacionin e TVSH dhe shumë fusha të tjera në ngritjen e përmbushjes vullnetare. /Telegrafi/