Telegrafi

Giresse do të bëjë disa ndryshime, ky pritet të jetë formacioni i Kosovës ndaj Andorrës

Përfaqësuesja e Kosovës do të përballet me Andorrën në ndeshjen e dytë të kampanjës kualifikuese për Euro 2024.

Dardanët synojnë të marrin fitoren e parë pas barazimit në ndeshjen e parë në udhëtim te Izraeli 1-1.

Trajneri i Kosovës, Alain Giresse ka të gjithë 25 futbollistët në dispozicion për këtë ndeshje dhe pritet të bëj disa ndryshime nga ndeshja e kaluar.

Në portë do të mbetet Aro Muric, derisa mbrojtja do të jetë nga Florent Hadergjonaj në të djathtë dhe Leart Paqarada në të majtë, ndërkohë Amir Rrahmani dhe Mirlind Kryeziu do të jenë në qendër të mbrojtjes.

Betim Fazliji pas paraqitjes fantastike si zëvendësues ndaj Izraelit pritet të jetë titullar në mesfushë, ndërsa përkrah tij do të jenë edhe Bersant Celina e Florent Muslija.

Treshja e sulmit pritet të jetë me Milot Rashicën, Arbër Zenelin dhe golashënuesin më të mirë në historinë e Kosovës, Vedat Muriqi. /Telegrafi/