Telegrafi

Giresse për ndeshjen ndaj Irlandës së Veriut: Kemi shumë mungesa dhe ekip të ri, por luajmë për fitore

Alain Giresse në konferencë (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Përzgjedhësi i Kosovës, Alain Giresse ka folur para ndeshjes me Irlandën e Veriut, duke i vajtuar mungesat që do t’i këtë në këtë përballje, por duke shpresuar për rezultat të mirë.

Kosova të enjten përballet me Irlandën e Veriut në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45 në xhiron e tretë të grupit C2 të Ligës së Kombeve.

Arijanet Muric dhe Fidan Aliti do të mungojnë në këtë ndeshje, ndërsa në pikëpyetje është edhe Vedat Muriqi.

“Jemi në një situatë paksa të veçantë para ndeshjes me Irlandën e Veriut si pasojë e asaj që ndodhi në duelin e fundit me Greqinë, ku jemi pa dy lojtarë që u përjashtuan dhe këta i shtohen mungesave që i kemi. Jemi në vështirësi sa i përket pozicioneve të caktuara, pasi ata që mungojnë janë të rëndësishëm në pozitat e tyre. Mirëpo, padyshim se do të tentojmë ti përshtatemi situatës, të përgatitemi dhe të kemi një paraqitje sa më të mirë për ndeshjen që e kemi”.

“Padyshim, pjesa fizike është shumë e rëndësishme, sidomos në ndeshje kundër britanikëve që vrapojnë shumë. Kështu që, ne duhet të jemi sa më mirë të përgatitur për këtë përballje”.

“Sigurisht, se janë mungesa të mëdha dhe do të ketë ndryshime në ekip, sidomos në krahun e majtë të mbrojtjes. Sa i përket Vedat Muriqin, shpresojmë që ai të jetë i gatshëm për këtë ndeshje”, ka thënë fillimisht Giresse.

Përzgjedhësi ka shtuar se Kosovës i mungon përvoja në ndeshje ndërkombëtare në krahasim me ekipet tjera. Ai ka thënë se në këtë ndoshta po ndikon mosha e re e lojtarëve që e kanë “Dardanët”.

“Për shkak të moshës së re, po vërehet edhe mungesa e përvojës në ndeshje të tilla dhe për këtë arsye nuk po kemi rezultate të kënaqshme nganjëherë”, shtoi Giresse.

Sipas tij, ekipi nuk ka presion dhe fokusin e ka vetëm te kjo ndeshje që sipas tij është e rëndësishme.

“E rëndësishme është se jemi përgatitur maksimalisht dhe sa i përket pjesës së presionit nuk e di shumë se çfarë do të thotë fjala presim për shkak se jemi profesionist. Krejt çka mund të them është se jemi gati dhe të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje”, ka deklaruar Giresse. /Telegrafi/