Trajneri i Përfaqësueses së Kosovës, Alain Giresse ka folur pas barazimit ndaj Ishujve Faroe mbrëmjen e sotme (e shtunë).
Kosova barazoi me rezultat 1-1 në stadiumin “Fadil Vokrri” në ndeshjen miqësore ndaj Ishujve Faroe, e cila ishte e dyta brenda disa ditësh.
Në këtë ndeshje, sikurse në atë ndaj Armenisë, Giresse i dha hapesirë lojtarëve të rinj, ku disa nga ta ishin nga Superliga e Kosovës.
Pas ndeshjes, trajneri francez është deklaruar i kënaqur me shpirtin luftarak të lojtarëve të rinj, ndërsa i kishte mbetur peng humbja e shumë rasteve.
“Ishte një lojë që kishte shumë raste dhe na vjen keq që i kemi humbur ato. Por, kemi folur për të ardhmen dhe tani do të analizojmë disa nga lojtarët që kemi ftuar në këto miqësore. Rezultati nuk është real”, ka thënë fillimisht Giresse pas ndeshjes.
“Ajo që mund të them ishte se të gjithë lojtarët kanë treguar shpirt luftarak”.
“Nëse flasim për statistikat tashmë ato dihen. Përgjithësisht ato flasin në favorin tonë por ne kemi punuar më shumë në ndërtimin e ekipit të ri dhe do të mundohemi që të forcohemi më tej në të ardhmen”, përfundoi francezi. /Telegrafi/