Ryan Giggs beson se ish-bashkëlojtari i tij te Manchester Unitedi, Cristiano Ronaldo mund të luajë futboll aktiv deri në moshën 40-vjeçare.
Ronaldo së fundmi shënoi golin e tij të 101-të ndërkombëtar për Portugalinë në moshën 35 vjeçare dhe nuk ka treguar shenja ngadalësimi në vitet e fundit.
Sulmuesi i Juventusit shënoi 31 gola në Serie A sezonin e kaluar dhe është tani vetëm tetë gola për të thyer rekordin për gola ndërkombëtar.
Giggs, i cili vetë luajti për Djajtë e Kuq deri në moshën 40 vjeçare, është i bindur që Ronaldo mund të vazhdojë të luajë deri në një moshë të ngjashme.
“Ai do të duhet të jetë në klubin e duhur padyshim. Unë kam qenë në një klub të madh dhe kam luajtur deri në moshën 40 vjeçare, dhe unë mund ta shoh atë duke vazhduar dhe duke luajtur derisa të jetë 40 vjeç”, ka thënë fillimisht Giggs për PA.
“Ai kujdeset për veten e tij – ha mirë, pushon mirë dhe jeton për lojë – dhe është profesionisti më i mirë me të cilin kam luajtur ndonjëherë”.
“Unë e pashë atë në fillim të karrierës së tij dhe ju kurrë nuk mund ta parashikonit që ai të vazhdonte të shënonte kaq shumë gola”.
“Ai ishte një talent dhe një lojtar i shkëlqyer që të entuziazmonte. Cristiano ishte gjithmonë një student i lojës, dhe ashtu si unë ai gjithmonë kërkonte atë avantazh shtesë”.
“Ai ishte gjithmonë në palestër dhe e kishte në mendje se sa i mirë mund të ishte. Ai shënoi 40 gola në një sezon te Unitedi dhe që atëherë ajo që ai ka bërë është e jashtëzakonshme”, përfundoi legjenda e Uellsit. /Telegrafi/