Ndeshje fantastike është zhvilluar në Fiserv Forum të Milwaukeet, ku kampioni në fuqi Milwaukee Bucks është përballur me Boston Celtics.
Kampioni në fuqi i NBA-së, ka arritur fitore me shumë mund 103:101 për të kaluar në epërsi 2-1 pas tri ndeshjeve në ‘Play-Off’ përballë Celtics.
Më meritori për këtë fitore të Bucks ka qenë greku Giannis Antetokounmpo me 42 pikë, 12 kërcime e tetë asistime.
Ndihmë të madhe Giannisit i dha edhe Jrue Holiday që e mbylli ndeshjen me 25 pikë e shtatë kërcime, derisa Brook Lopez kontribuoi me 13 pikë e 10 kërcime.
Jaylen Brown me 27 pikë ishte më efikasi tek skuadra mysafire, por që në fund nuk ishin të mjaftueshme për fitore.
Edhe ndeshja e katër mes dy skuadrave do të zhvillohet në Milwaukee, ku Bucks tani janë në epërsi 2-1.
Fitoren e dytë e ka marrë edhe Golden State Warriors që ka mposhtur Memphis Grizzlies me 30 pikë epërsi 142:112 për të kaluar në epërsi 2-1. /Telegrafi/