Besnik Dizdari
Ditët e fundit, së bashku me sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Basketbollit, Korab Llazani, shkuam e pamë ndërtimin e kompleksit të ri sportiv të Tiranës, atje përtej, ngjitur me kompleksin e dikurshëm të “Dinamos”.
Pata ndjesinë e një gëzimi sportiv të vërtetë, tek pashë palestrën e basketbollit e të volejbollit, e rrethuar në një harmoni të pagabueshme me tribunat e saj të një shikimi të rehatshëm, e nën një lartësi të admirueshme. U përshkova prej një gëzimi të vërtetë sportiv, sepse u binda që, edhe pse e vogël, Tirana shpejt do të fitojë në lloj pallati sporti tjetër. Gëzimi erdh e u shtua kur u ndala te selia e federatave sportive, e sidomos te palestra e mundjes dhe e peshëngritjes.
E vërteta është se kohët fundit me ndërtimin e Stadiumit të Elbasanit, të Shkodrës, si dhe të këtij kompleksi, Shqipëria e varfër në jetën e saj të sotme sportive, befas mund të përjetojë një gëzim sportiv më tepër. E them këtë sepse gëzimet sportive të Shqipërisë janë krejt të pakta.
Janë kaq të pakta saqë pa drojë them se Shqipëria është vendi me gëzimet më të pakta sportive në Europë. Këto dy-tri ditë jam marrë me dy gazeta të huaja të përditshme sportive: një perëndimore, “La Gazzetta dello Sport” e Italisë dhe një lindore, “Sport Ekspres” e Rusisë. Janë dy shtete, të cilët i kanë përfaqësueset e tyre kombëtare ashtu si dhe Shqipëria në Kampionatin Europian “Francë 2016”.
Natyrisht, edhe ato si gjithë të tjerët, pra si edhe Shqipëria, i japin hapësirë të madhe kësaj ngjarjeje. Po ndërkaq u japin hapësirë edhe ngjarjeve të tjera të njëkohshme të sportit të tyre. Kështu, ti përmes faqeve të këtyre gazetave mund të lexosh deri në imtësi atë që ka do kohë që në Shqipëri është emërtuar si “shumësportësh”. Se kush na e shpiku këtë togfjalësh artificial, nuk e di.
E them këtë se nuk ka “shumësportësh”. Ka thjesht vetëm “sport”, përcaktim apo dukuri që përmban gjithë universalizmin kuptimor të kësaj veprimtarie e dorës së parë e shoqërisë njerëzore. Fjalë që vjen prej së vjetrës “desport” të frëngjishtes, që nënkupton “kohën e lirë”. Çka është përcaktuar mandej, edhe prej anglishtes qysh 1300 vjet më parë, për të nënkuptuar atë që “qeniet njerëzore e gjejnë dëfryese në të ushtruar”. Si të donte të shpjegonte atë që ne këtu po e quajmë “gëzimi sportiv”.
Në gati 60 faqet e “La Gazzetta dello Sport”, gjeta faqe të tana për atletikën e lehtë, basketbollin, tenisin, çiklizmin… Natyrisht pa e prishur assesi sundimin e faqeve të tana për futbollin. Te “Sport Ekspres” e Rusisë, që së bashku me “Sovjetskij Sport” janë dy gazetat e vetme sportive të Rusisë, atë që ne i thënkemi “shumësportësh”, e gjeta edhe më hapësinor. Ndonëse gazeta ka vetëm 12 faqe.
Një faqe për hokejin. E mandej me radhë gjimnastika, boksi, atletika e lehtë, volejbolli, basketbolli, shahu… Po Shqipëria ime dhe e jona? Thuajse asgjë tjetër përveç Kombëtares. Natyrisht deri në hollësi, çka sidomos këto ditë ndoshta kështu do vepruar. Kjo sepse për Shqipërinë e vogël ngjarja është vërtet e madhe: për herë të parë në histori ajo shkon në grupet e fundoreve të një Kampionati Europian të Futbollit. E pra, me ç’të drejtë unë guxoj e bëj mu këto ditë këtë shkrim kritik, të cilit i vë edhe titullin “mohues” “Gëzimet e pakta të sportit të Shqipërisë”?…
Aq më tepër kur sapo përjetova gëzimin sportiv të ndërtimeve sportive në Shqipëri?… Ndoshta paksa edhe ngaqë u mërzita kur një gëzim sportiv i ditës, siç qe thyerja mbas plot 30 vjetësh (qershor 1986 – qershor 2016) i rekordit kombëtar të trehapëshit (16.30 nga 16.09) prej talentit të madh Izmir Smajlaj, këtë pasqyrim nuk e gjeta në lajmet e mjaft televizioneve. Bie fjala, “gëzimi më i ri sportiv” për Televizionin Shqiptar Publik ishin garat e motoçiklizmit, një sport që nuk ekziston në Shqipëri. Ndërkohë që të dielën në mbrëmje nuk e pashë rubrikën e zakonshme sportive, siç ngjet rëndom “zhdukja” e saj sapo mbaron Kampionati Kombëtar i Futbollit.
Nuk e di. Ajo që di është kjo tjetra: që Shqipëria ka krejt pak gëzime sportive. Mirë pra, më thoni se çfarë sporti ka qoftë edhe këto ditë Shqipëria? Sepse me heshtjen ndaj Kampionatit Kombëtar të Atletikës së Lehtë, të cilit jo më të të shkojë ndër mend që t’i bëhet një transmetim televiziv i drejtpërdrejtë (është bërë në vitet ’70), por as të të shkojë ndër mend qoftë transmetimi edhe një “telediagrame” të vetme të rekordit të trehapëshit. Dhe moria retorike e pyetjeve që ta merr mendjen. Ku e ka Shqipëria peshëngritjen, sportin e saj të nivelit botëror?
Ku e ka volejbollin, me të cilin dikur, për fat, nën regjimin komunist, me klubet ka qenë e pakta nja 4 herë me meshkuj e femra në katërshen e madje edhe në treshen e Europës? Ku është qitja, e cila në 1991 ka pasë 21 poligone, natyrisht krejt të thjeshta, e sot ka vetëm 1, edhe këtë jashtë çdo standardi olimpik?
Ku janë garat gjithëvjetore të notit, teksa ende Shqipëria mbetet i vetmi vend në Europë pa një pishinë të vërtetë olimpike? Dhe i duhet të presë një gëzim të vogël sportiv nga përtej oqeanit, ku “amerikani” ynë Sidni Hoxha nuk ndal tek arritjet e tij. Ku është mundja, e lira dhe klasikja, që i ka dhënë botës edhe një kampion botëror si Elis Guri, të cilin “kundërsportmenët” shqiptarë e bënë të shkojë te Bullgaria; apo e medalistit tonë eurobotëror Sahit Prizreni? A ka gjimnastikë sporti shqiptar, së cilës vështirë t’i gjesh një shkrim apo qoftë dhe një sekuencë televizive diku?
Dihet, unë nuk kam gjë në dorë, por po të kisha, do të ndërmerrja një eksperiment origjinal. Do të ndaloja për nja një muaj transmetimet televizive të kampionateve të futbollit të shteteve të tjera; do të ndaloja për një muaj çdo transmetim të Formula 1, që dikush do të na mbushë mendjen e se e dashka më shumë se asgjë tjetër rinia jonë! Do të ndaloja po për një muaj çdo lajm sportiv ndërkombëtar.
Qoftë dhe motoçiklizmin që papritmas e pashë pra, për një kohë bukur të gjatë, tek zuri ekranin e televizionit publik (TVSH), ndonëse nuk di të jetë sport në Shqipëri. Natyrisht, përveç motoçikletave të hazdisura rrugëve të Tiranës që, edhe pse shpërthejnë midis njerëzve, s’ka dalë ende një polici “trime” që t’i ndalojë, (Vetëm kur vendosi ta bëjë futbollin sport të popullit të vet, SHBA iu kthye transmetimeve të këtij sporti).
Nëse do të bëhej pra për nja një muaj kjo ndalesë e pasqyrimit të sportit të huaj, ky varfërim mediatik, ndoshta do t’i bënte drejtuesit po euforikë të këtij vendi, të cilëve iu shkëlqejnë kostumet, jo mjediset kombëtare sportive, që të bindeshin se vërtet Shqipëria thuajse nuk ka gëzime sportive. Sepse gëzime sportive ka kur ka sport.
E mbasi të vendosej për nja një muaj absurditeti i ndalimit të ngjarjeve sportive ndërkombëtare apo ato të shteteve të tjera, gazetat dhe televizionet shqiptare do të viheshin tejet në vështirësi se çfarë lajmesh sportive të publikonin nga sporti kombëtar. Na duhet të bindemi se Kombëtarja e Shqipërisë dhe Kampionati Kombëtar i Futbollit janë shumë pak në vetminë e tyre për të na vërtetuar se ka sport tanësor dhe gëzime sportive në Shqipëri.
Dhe kuptoni që nuk e harroj assesi Shqipërinë e “Francë 2016” të gëzimit të madh, qoftë dhe mbas dy humbjeve të Lensit dhe të Marsejës, gëzim jashtë e brenda stadiumeve për herë të parë në historinë e Shqipërisë te nja 15.000 e 25.000 shqiptarë të pranishëm. Këto janë gëzimet sportive që i krijon vetvetiu sporti pra. Madje, edhe kur humbet në minutat e para apo në minutat e fundit, siç ndodhi mbrëmë në qëndresën e pafat të Kombëtares, e cila prapë nuk ka pse të heqë dorë prej synimeve të saj. Mërzia është diku tjetër.
Është te largimi prej temës “kombëtare”, saqë edhe kur një atlet shqiptar si Izmir Smajlaj kalon për herë të parë 8 metrat në kërcim së gjati (8.03), vështirë se këtë lajm e jep ndonjë televizion, që merret përditë deri me babën e Messi-t. E jo më të guxosh e të mendosh që t’i bëhet rrufeshëm një emision i posaçëm rekordmenit të ri të përmasave me emrin Izmir Smajlaj.
Është po ky djalë pra, i rekordit të ri të trehapëshit të ditës së hënë, që përsëri u mbështoll nga një heshtje shembullore, sidomos prej atyre që sot edhe në Shqipëri ushtrojnë trysninë më të fuqishme publike: televizioneve. Megjithatë, këto ditë Shqipëria e pati ndonjë gëzim të vogël sportiv. Ishte basketbolli me dy kampione të tij, Vllazninë për herë të tretë rresht dhe Flamurtarin për herë të katërt rresht.
Dhe në gjithë këtë varfëri sportive pati pra, një pasurim të vogël gëzimi sportiv. Sidomos për nja 1500 apo 2000 sportdashës të Shkodrës, Vlorës, Durrësit. Ishte televizioni “Telesport”, që me shumë pasion transmetoi drejtpërdrejt basketboll, çka përçoi një gëzim sportiv përtej sallave të ngjarjes. Ndonëse për fat, “Telesport” shihet vetëm në teknikën dixhitale, çka do të thotë se për arsye ende të papopullarizuara, tash për tash shihet nga pak njerëz.
Të tjerë ndoshta as lajmin se Vllaznia e Flamurtari u shpallën kampione të Shqipërisë nuk e dinë. Se sa e si, për të këtë as mos të të shkojë mendja. Ndërkaq, emisionet e transmetimet e “shumësportit” në radio, qoftë dhe atë publike, i takojnë së kaluarës. Kështu shterohen për bukuri edhe ato pak gëzimet sportive të Shqipërisë.
Asnjëherë në historinë e saj Shqipëria nuk ka pasë një varfëri kësisoj tronditëse të jetës së saj sportive. E, nuk jemi aq naivë sa të na i marrë mendtë qoftë dhe Kombëtarja e jonë e “Franca 2016”. Jo vetëm se me një lule nuk vjen pranvera, por edhe ngaqë nuk harrojmë se prej 23 lojtarëve që janë atje, prodhim i sportit të futbollit të Shqipërisë janë më pak se gjysma e tyre.
Çka, duam apo s’duam, na tregon se varfëria është deri diku tronditëse edhe për sportin popullor të futbollit kombëtar. Për fat, sapo ka mbërritur për bukuri Kosova e UEFA-s dhe e FIFA-s, e cila do të vazhdojë të këndojë në tribunat e saj “Xhamadani vija-vija”, çka u pa edhe në ndeshjen e Prishtinës Kosova – Shqipëria. Këngë që një arrogancë televizive don ta zëvendësojë me një tjetër tejet më jopopullore e të një niveli më të ulët…
Ky është deliri vetjak televiziv, siç do të mund ta emërtonin. Dhe që e rrén mendja se do të na hutojë me vargje të një nacionalizmi arkaik që i ka kaluar koha qysh në shekullin XIX. Si puna e sloganit të Kombëtares “O sa mirë me qenë shqiptar”. E çka mund të thotë zvicerani që i ka të ardhurat vjetore për frymë 40.000 dollarë? “Që sa keq që nuk jam shqiptar”?…
E dimë. Këto ditë mosgëzimet sportive të Shqipërisë, përgjegjës të pakundërshtueshëm për varfërinë sportive të Shqipërisë, do të kërkojnë të na i mbysin me gëzimin sportiv të Kombëtares në Francë. Dhe do të vrapojnë të gjithë në tribuna stadiumesh franceze për të shitur pak mend me këtë Kombëtare.
Deputetë e politikanë, ministra e kryeministra që, të fryrë prej suksesit të madh të kësaj pjesëmarrjeje “franceze”, do t’i dëgjojmë, kësaj radhe me statusin e fitimtarit të gëzuar, në studio televizive, të ftuar si gjithmonë prej servilizmit të një gazetarie të llojit. Dhe, për çudi, në role analistësh të një “origjinaliteti” që është i vetëm në Europë. Nuk do të thonë asnjë fjalë për varfërinë tronditëse sportive të Shqipërisë.
Do të guxojnë madje, siç ka ndodhur edhe gjatë kampionateve të mëparshëm futbollistikë të Europës apo të Botës, që të flasin deri dhe për taktikë e teknikë. Dhe nuk do t’i kërkojnë diku tjetër përveçse te Kombëtarja gëzimet sportive të Shqipërisë. E kësaj radhe, edhe ngaqë për hir të pranisë së Shqipërisë, nuk besoj se do të guxojnë të dalin në studio duke rrahë gjoksin si tifozë të Gjermanisë apo Italisë.
Ndërkaq, varfëria sportive, gëzimet e pakta sportive të saj, kanë ndikuar tejet që kjo Shqipëri pra, të themelojë komentatorë të Formulës 1, kronistë të Serisë A të Italisë, të Bundesligës së Gjermanisë apo të La Ligës së Spanjës. Pa ia arritur të themelojë (formojë) kronistë, komentatorë e analistë për atletikën e mundjen kombëtare, për notin, gjimnastikën e qitjen kombëtare. Se më për sportin e mendjes që është shahu, ka gati nja 20 vjet që në Shqipëri nuk ekziston asnjë komentator i shahut, sport apo lojë që për vite të tana ka përfaqësuar me dinjitet mendjen intelektuale të shqiptarëve deri në olimpiadat botërore.
Më mbetën sytë tek e përditshmja e vjetër (qysh më 1904) “Politika” e Beogradit. I kishte kushtuar një faqe shahut, thuajse po aq sa Kampionatit të Serbisë në futboll. Mandej, papritmas, kur shfletova të përditshmen tjetër beogradase, “Sportski Zhurnal”, më mbeten sytë te një foto e qitëses së famshme Jasna Sekaric, e cila sapo kishte fituar Kupën e Serbisë. Është ajo që gati 40 vjet më parë ka konkurruar me Kampionen e Europës, të famshmen tonë Elizabeta Karabollin.
Është Jasna – Kampionia legjendare olimpike, e cila merr pjesë në olimpiadat qysh nga viti 1988, duke koleksionuar plot 5 medalje olimpike në pesë olimpiada. Nuk e lëshon klubi i Crvena Zvedës si dikur Dragan Xhaiçin. Se për të, si futbolli, si qitja janë të barabarta. I përkasin së njëjtës “familjeje”: familjes tejet të pasur të sportit, që për fat në Shqipëri është një familje e përçarë. Jasna, e cila prapë kërkoka Olimpiadën! E unë, kronisti i dikurshëm i europianeve tona të famshme, Karabolli, Dingu apo Kola, sot nuk di diçka të re për to…
Ajo që di është kjo tjetra: se për herë të parë qysh nga viti 1992, Shqipëria nuk do të ketë asnjë qitës apo qitëse në Lojërat Olimpike, këto të Rio de Janiero-s 2016! Varfëria e sotme e sportit shqiptar është vërtet tronditëse. Gëzimet sportive janë krejt të rralla. Nuk mund të jetë gëzim sportiv, bie fjala, as fakti i shkrimeve të panatyrshme se një arbitër i mirënjohur i futbollit shqiptar po realizoka “ëndrrën amerikane”, e cila qenka vetëm fitimi i tij për t’u bërë qytetar i SHBAve.
E megjithatë, lum Shqipëria sportive! E ka çuar skuadrën e saj Kombëtare në “Francë 2016”. Ia kemi thënë e stërthënë meritat. Po vazhdojmë t’ia themi, orë e çast, minutë mbas minute, ditë mbas dite, madje natë mbas nate. E do të vazhdojmë t’ia themi edhe mbas humbjes së mbrëmshme me Francën. Humbje që nuk e zbeh kurrsesi arritjen e saj historike. Natyrisht duke synuar t’i marrim pa kalamendje atë çka dëgjojmë para mikrofonave e ekraneve euforike, sa s’ka kush shkon më. Në faqe gazetash e komente teletransmetuese që nuk ndalin. Te shumëkush madje me rrahje gjoksi e shitmendje që nuk pushon.
E prapëseprapë ajo që mbretëron më fort se e gjithë kjo, është varfëria tronditëse e sportit të Shqipërisë, gëzimet e pakta sportive të Shqipërisë. Nuk na mbetet tjetër veçse të thërrasim: “Rroftë Luiza Gega dhe Kombëtarja e futbollit!”. Me shpresë se ndoshta vjen pranvera edhe me dy lule. Se Olimpiada mbërriti ndërkaq. E nuk di a do të mund të sendërtojë Shqipëria qoftë dhe një buqetë të vogël luleje olimpike asisoj…
Të paktën sa për t’iu afruar buqetës së bukur olimpike të anëtares më të re të Olimpiadës: Republikës së Kosovës, e cila brenda pak muajve e bëri buqetën e saj olimpike, çuditërisht më të pasur se ajo e Republikës “së vjetër” të Shqipërisë. Por “lascia stare”, siç thonë fqinjët tonë përballë. Do t’i kthehet Shqipërisë së “Euro 2016” edhe autori i këtij shkrimi. Forca e zakonit!…