Site icon Telegrafi

Geti shfaqet në gjyq për rrahjen e Ledri Vulës

Këngëtari kosovar, Getoar Selimi, dëshmoi sot në seancën e Ledri Vulas, ku të akuzuar janë Gazmend Mirena dhe Krenar Çoçaj.

Getoar Selimi kishte qenë dëshmitar okular në natën e 7 qershorit 2012, kur Gazmend Mirena e Krenar Çoçaj akuzohen se kishin sulmuar Ledri Vulën, në kohën kur i njëjti gjendej në makinë me dëshmitarin Selimi.

Getoar Selimi ishte i ftuar në cilësinë e dëshmitarit që nga seancën e kaluar, por pas mos paraqitjes së tij në gjykatore, kryetari i trupit gjykues Beqir Kalludra, lëshoi urdhëresë për sjelljen e tij të obliguar në gjykatë.

Në seancën e sotme, avokatët mbrojtës Kosovare Kelmendi e Asdren Hoxha, kërkuan nga trupi gjykues që të përjashtohet publiku për shkak të natyrës së rastit.

Kësaj kërkese iu bashkangjit edhe avokati i Ledri Vulës, Tomë Gashi, i cili kërkoi përjashtimin e mediave, por jo edhe të publikut.

Pas këshillimit, trupi gjykues në krye me Beqir Kalludran, mori aktvendim që të bëhet përjashimi i publikut, përfshirë këtu edhe mediat.

Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me veturë dhe e kishin nxjerrë nga vetura në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

Sipas aktakuzës, Gazmend Mirena e ka goditur Vulën me kondak të revoles në vetullën e majtë dhe në kokë, ndërsa Krenar Çoçaj me shufër hekuri në shpinë dhe në kokë.

Si rezultat, të akuzuarit Mirena dhe Çoçaj kanë kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor, ndërsa Mirena akuzohet edhe për veprën penale të përdorimit të armës, mjet ky i cili kishte shërbyer për rrahjen e viktimës./kallxo.com

Exit mobile version