Site icon Telegrafi

Gërxhaliu: Zhvillimi ekonomik është garanci e qëndrimit të shqiptarëve në Luginë

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu ka vlerësuar se vetëm zhvillimi ekonomik është garanci e qëndrimit dhe prosperitetit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Gjatë takimit me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe delegacionin e bizneseve të cilat ishin me të, Gërxhaliu tha se rëndësia e këtij takimi qëndron në faktin se ky takim po ndodh në procesin e përgatitjes së procesit të Berlinit gjë të cilit do të shpaloset plani për Ballkanin Perëndimor.
Kreu i Odës vlerësoi se për qeverinë e ardhshme të Kosovës partneriteti dhe mbrojtja e shqiptarëve në Serbi duhet të jetë prioritet.

“Vetëm zhvillimi ekonomik i Preshevës, Bujanovci dhe Medvegjës mund të jetë garanci e qëndrimit të shqiptarëve atje. Një ndër rekomandimet që do të dal nga ky takim është edhe organizimi i një konference si mundësi që bizneset e Kosovës të investojnë në atë pjesë si mundësi për punësim dhe zhvillim”, ka thënë Gërxhaliu.

Kryetari i Bujanocit Shaip Kamberi, tha se për të gjitha këto vite ka munguar bashkëpunimi ndërinstitucional dhe se përmes këtyre takimeve po tentohet të krijohen bashkëpunime konkrete në mënyrë që të ndihmohet Lugina e Preshevës, pasi sipas tij, të rinjtë po ikin nga ajo pjesë për shkak të papunësisë

Ai theksoi se presin që përmes investimeve të bizneseve kosovare atje të nxitet punësimi. “Lugina Preshevës po kalon ndër sfidat më të rënda që i ka pas në kohën moderne me një represion ekonomik. Nuk kemi arritur që të ndërtojmë një sistem të organizuar t’i ndihmojmë Luginës. Po tentojmë që të ndërtojmë partneritet në mes të bizneseve të shkëmbimit të përvojave në mënyrë që të nxitet punësimi atje sepse të rinjtë po na ikin. Shpresoj dhe besoj që këto takime të na ndihmojmë dhe shpresoj që një konferencë që do ta bëjmë shumë shpejt të ndërtojmë partneritete konkrete”, tha Kamberi.

Pas vizitës dhe takimeve në OEK delegacioni nga Bujanoci vizitoi kompaninë Abi në Prizren. /Telegrafi/

Exit mobile version